Botë
Programi bërthamor i veriut, Pence: Penhiani të mos testojë fuqinë tonë ushtarake
17.04.2017 14:48
Zëvendëspresidenti amerikan, Mike Pence, gjatë vizitës në kufirin mes dy Koreve paralajmëroi Veriun të mos testojë vendosmërinë e presidentit, Donald Trump...

Zëvendëspresidenti amerikan, Mike Pence, gjatë vizitës në kufirin mes dy Koreve paralajmëroi Veriun të mos testojë vendosmërinë e presidentit, Donald Trump, duke thënë se “të gjitha opsionet janë në tavolinë”, për frenimin e programit të raketave dhe armëve bërthamore të Phenianit.
Pence shtoi se do të ishte mirë që Koreja e Veriut të mos testojë fuqinë ushtarake të ShBA-së në rajon.
"Që nga viti 1992, ShBA-të dhe aleatët tanë kanë qëndruar bashkë për denuklearizimin e gadishullit Korean. Shpresojmë të arrijmë qëllimin në mënyrë paqësore, por të gjitha opsionet janë në tavolinë. Gjatë dy javëve të fundit bota ishin dëshmitarë të fuqisë dhe vendosmërisë së presidentit, Donald Trump, në aksionet e ndërmarra në Siri dhe Afganistan. Koreja e Veriut nuk duhet ta testojë vendosmërinë e tij ose fuqinë e forcave të armatosura të ShBA-së në këtë rajon”,- theksoi zëvendëspresidenti i Shba-ve, Mike Pence.
"U morëm vesh për përpjekje të dyfishta me qëllim që të ndryshojmë llogaritjet strategjike të Koresë së Veriut dhe zbatimin e plotë të sanksioneve”- u shpreh u. d. president i Koresë së Jugut, Hang Kyo-Ahn.
Pence vizitoi zonën e demilitarizuar koreane dhe fshatin kufitar të Panmunjom në kohën kur tensionet në gadishull janë rritur pas programit bërthamor të Phenianit.
Nënpresidenti amerikan, Pence, është në turneun e tij dhjetëditor në Azi, ku do të vizitojë aleatin kyç, Japoninë, e cila po ashtu ka dënuar programin bërthamor të Koresë së Veriut.
LEUNORA KALIQI
