10 ton kanabis drejt Italisë, arrestohen 18 punonjës doganorë në Shqipëri
Prokuroria e Krimeve të Rënda në Shqipëri ka urdhëruar arrestimin e 18 punonjësve të policisë që shërbejnë në Portin e Durrësit...

Prokuroria e Krimeve të Rënda në Shqipëri ka urdhëruar arrestimin e 18 punonjësve të policisë që shërbejnë në Portin e Durrësit, përfshirë edhe shefin e stacionit policor, si dhe tetë doganierë të Qafë Thanës, në kufirin me Maqedoninë.
Ata dyshohet të kenë siguruar kushte për kalimin e dy ngarkesave të ndryshme me peshë totale 10 ton kanabis sativa nga Shqipëria në Itali, në shkurt dhe mars 2017.
Pas bashkëpunimit me autoritetet italiane dhe hetimeve në vend, Prokuroria vlerëson se “bazuar në veprimet e punonjësve të policisë kufitare, të doganës dhe të agjentëve doganorë, Qafë Thanë, si edhe atyre të Portit Durrës, doganës Durrës dhe doganës Tiranë, ekziston një formë e organizuar bashkëpunimi mes tyre për të realizuar kalimin e automjeteve kamionë të mbushur me lëndë narkotike nga Shqipëria në Itali. Të dyshuarit e këtij hetimi janë të përfshirë në njërin ose në të dy episodet, të cilat janë pjesë e të njëjtit procedim penal, saktëson njoftimi i Prokurorisë.
