Maqedoni

Pajaziti: Nuk priten ndryshime në raportet Turqi-Ballkan

17.04.2017 17:03

Referendumi i djeshëm në Turqi u ndoq me interesim të madh edhe në shtetet e Ballkanit...

Në shumë prej këtyre vendeve vota pro ndryshimit të sistemit nga parlamentar në presidencial u mirëprit sidomos nga minoriteti turk, megjithëse kishte edhe nga ata që kundërshtuan ndryshimet kushtetuese. Por, sa ky rezultat do të ndikojë në marrëdhëniet diplomatike të Turqisë me vendet e Ballkanit?
 
Profesori universitar, Ali Pajaziti, vlerëson se rezultati i referendumit nuk do të ketë ndikim në ndryshimin e marrëdhënieve të Turqisë me vendet ballkanike, kjo për shkak se lidhjet e Turqisë me këto vende kanë qenë të forta, sidomos viteve të fundit, kur në pushtet ka qenë partia e presidentit, Raxhep Taip Erdogan.
 
“Besoj që nuk do të ndryshojë shumë gjë në këtë aspekt, sepse lidhjet e Ballkanit dhe të Evropës Juglindore me Turqinë kanë qenë të forta, duke pasur parasysh dhe spektrin qytetarimor dhe historik, pra Perandoria Osmane ka qenë prezente këtu dhe që nga viti 2002 e këndej partia e cila është në pushtet, partia për drejtësi dhe zhvillim ka zhvilluar politika shumë proaktive lidhur me Ballkanin, domethënë ka shprehur një interes të veçantë dhe të jashtëzakonshëm, të cilat disa i quajnë si politika neootomaniste”,- u shpreh profesori universitar, Ali Pajaziti.
 
Sa u përket raporteve me vendet evropiane dhe vetë BE-në, Pajaziti shton se debatet dhe polemikat e shumta në mes Turqisë dhe vendeve evropiane si Gjermania, Franca apo Holanda kanë ndikuar në rezultatin e referendumit, ku Erdogan shënoi fitore bindëse.
 
Marrëdhëniet e Turqisë me Evropën do të normalizohen vetëm nëse Evropa respekton të drejtën demokratike të popullit turk, por edhe nëse Erdogan zbut politikat e tij në kundërshtim me Evropën. 
 
“Mendoj se parimi i demokracisë është që të pranohet verdikti i popullit, gjë të cilën e tha edhe vetë kancelarja Merkel, me një përkujdesje që të merret parasysh edhe pjesa tjetër e atyre që kanë dhënë zërin për jo sistemit presidencial. Pra, një balancim është i pritshëm në qoftë se edhe Erdogan ka parasysh Evropën, fuqinë e saj dhe tendenca që Turqia të bëhet pjesë e Unionit Evropian”,- theksoi profesori universitar, Ali Pajaziti. 
 
Pajaziti po ashtu vlerëson se presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan, ka rritur ndikimin e tij edhe në politikat e shteteve të Ballkanit. 
 
ERSAN PAJAZITI