PPS, më pak se tre muaj për të ngritur akuza, Maksuti: Të shtyhet afati, PPS pati obstruksione

17.04.2017 17:33

Gjykata Supreme do të vazhdojë me debatin nëse kryeprokurori shtetëror, Marko Zvërlevski....

Gjykata Supreme do të vazhdojë me debatin nëse kryeprokurori shtetëror, Marko Zvërlevski, do të mundet të dorëzojë kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë së PPS-së dhe për lëndët e saj si dhe për çështjen nëse duhet të ndalohet shfrytëzimi i materialeve nga përgjimi i paligjshëm apo të ashtuquajturat “bomba”, si dëshmi në procedurë penale.

Profesori universitar, Mersin Maksuti, thotë se zbardhja e megaskandalit me përgjimet e paligjshme nuk duhet të ndërpritet vetëm për shkak të afatit 18 mujor, i cili u dëshmua si i pamjaftueshëm. Sipas tij, ky afat duhet të shtyhet.

“Afati 18 mujor i Prokurorisë Speciale për të iniciuar procedurat ndaj kryerësve të dyshuar të veprave penale, tashmë po shihet qartë se është i pamjaftueshëm dhe patjetër kjo duhet të shtyhet me një intervenim në Ligjin e PS-së”,- u shpreh profesori universitar, Mersim Maksuti.

Prokuroria Speciale deri tani ka hasur në obstruksione nga të gjitha organet relevante që duhej bashkëpunim me ta, konstaton Maksuti. Sipas tij, materialet nga përgjimet e paligjshme, pa mëdyshje, paraqesin një bazë të mirë për ngritjen dhe procesuimin e rasteve.

“Ato, tashmë, janë të rregulluara edhe në aspektin juridik, d.m.th. janë të paraparë në vetë Ligjin për themelimin e PPS-së, ligj i cili mbështet kryesisht në “bombat””,- theksoi profesori universitar, Mersim Maksuti.

Qershori është afati i fundit ku prokurorja publike speciale, Katica Janeva, mund të ngre aktakuza për vepra penale që burojnë përgjimet e paligjshme. Neni 22 i Ligjit për Prokurorinë Publike për Ndjekjen e Veprave Penale të Lidhura që dhe që Burojnë nga Përmbajtja e Ndjekjes së Paligjshme të Komunikimeve, thotë: ”Prokurori publik, i cili udhëheq me Prokurorinë Publike, mund të ngre padi ose të urdhërojë ndërprerje të procedurës hetimore në periudhë jo më gjatë se 18 muaj nga dita e marrjes së lëndëve dhe materialeve në kompetencë të saj”.

Pak ditë më parë, PPS njoftoi se është e vetëdijshme për urgjencën e procedurave dhe se ato nuk stërzgjaten nga ajo, prandaj bëri thirrje për zbatimin e parimit të urgjencës gjatë procedimit të kërkesave të PPS-së. (Shpëtim Nuredini, TVM2)