Botë

Referendumi presidencial në Turqi, opozita kërkon rinumërim të votave

17.04.2017 18:07

Partia kryesore e opozitës në Turqi kërkon rinumërim të votave, pas rezultatit të ngushtë të referendumit të së dielës...

Partia kryesore e opozitës në Turqi kërkon rinumërim të votave, pas rezultatit të ngushtë të referendumit të së dielës, që i jep presidentit, Recep Tayyip Erdogan, fuqinë ta zgjerojë ndjeshëm pushtetin e tij.
 
Partia Popullore Republikane (CHP) ka ngritur pretendimin se procesi zgjedhor pati parregullsi të mëdha. Përpjekja e Erdoganit për presidencë ekzekutive arriti të triumfojë me vetëm pak më shumë se 51% të votave.
 
OSBE-ODIHR: Referendumi, jashtë standardeve ndërkombëtare
 
Edhe për OSBE-ODIHR-in dhe organizatat tjera vëzhguese ndërkombëtare referendumi në Turqi ishte jashtë standardeve ndërkombëtare. OSBE publikoi raportin paraprak ku numëron parregullsitë e shumta, që sipas saj, e bëjnë të pavlefshëm procesin.
 
"Dy palët në fushatë nuk kanë pasur mundësi të barabarta për prezantim para mbajtjes së referendumit. Ndryshimet e fundit në procedurën për rinumërim të fletëvotimeve ka kontribuuar për prishjen e mbrojtjes së rëndësishme për procesin zgjedhor",- tha Cezar Florin nga OSBE-ODIHR.
 
Erdogan: Turqia mori një vendim historik
 
Vetë Erdogan e ka quajtur referendumin si historik edhe pse tre qytetet më të mëdha të vendit, Stambolli, Ankaraja dhe Izmiri u thanë “jo” ndryshimeve kushtetuese. 
 
“Turqia mori një vendim historik mbi një diskutim 200-vjeçar të lidhur me sistemin e saj kushtetues. Ky vendim nuk është diçka i zakonshëm. Kjo është dita kur është hedhur një hap shumë i rëndësishëm në raport me Kushtetutën”,- theksoi presidenti i Turqisë, Rexhep Tayip Erdogan.    
                                   
Fitorja e tij u prit në të gjithë Turqinë, sa me festime, aq edhe me protesta. Mbështetësit e opozitës dolën menjëherë nëpër rrugët e Stambollit, duke përplasur tenxhere e tiganë, një formë tradicionale proteste kjo, ndërsa demonstrata të tilla të zhurmshme pati edhe në zona të tjera.
 
BE: Konsensus kombëtar për ndryshimet kushtetuese
 
Në pritje të raportit, zyrtarët e lartë të Brukselit, presidenti i Komisionit Europian, Zhan Klod Junker, komisioneri për zgjerimin dhe fqinjësinë, Johanes Han, dhe shefja e Diplomacisë evropiane, Federika Mogerini, kërkuan nga Qeveria turke që të krijojë një konsensus kombëtar për ndryshimet kushtetuese, sepse rezultati i zgjedhjeve ka qenë shumë i ngushtë. Në të njëjtën vijë është edhe Gjermania. Ministri i Jashtëm, Sigmar Gabriel, deklaroi në Tiranë se Erdogani nuk e siguroi shumicën e nevojshme të votave brenda Turqisë.
 
“Në një rezultat të tillë kaq të ngushtë, duke u nisur edhe prej faktit që votimet u zhvilluan në një situatë të jashtëzakonshme dhe shumë njerëz në muajt e fundit kanë pasur përshtypjen se liritë themelore në Turqi kanë qenë tejet të kufizuara, është mjaft e rëndësishme të pritet gjykimi dhe vlerësimi i monitoruesve ndërkombëtarë”,- u shpreh ministri i Punëve të Jashtme i Gjermanisë, Sigmar Gabriel.
 
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitrij Peskov, deklaroi se duhet të respektohen rezultatet e referendumit në Turqi, ku shumica votoi për zgjerimin e kompetencave të presidentit. Tashmë Erdogan është para një tjetër vendimi, rikthimin e dënimit me vdekje.
 
Presidenti turk paralajmëroi se nëse dënimi me vdekje nuk do të vendosej pas votimit në parlament për shkak të kundërshtimit nga opozita, Turqia do të mbante një tjetër referendum për këtë. Nëse Turqia vendos të rikthejë dënimin me vdekje, kjo do të thotë se i jep fund negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian, i cili në mënyrë kategorike nuk i pranon në Union shtetet që praktikojnë dënime të tilla.  
 
LEONORA KALIQI