Presidencialet në Francë, incidente në takimet elektorale të Le Pen

18.04.2017 13:22

Takimi i fundit elektoral i kandidates për presidente të Frontit Nacional, Marinë Le Pen....

Takimi i fundit elektoral i kandidates për presidente të Frontit Nacional, Marinë Le Pen, në Paris, është shoqëruar me incidente.

Tre episode dhune u regjistruan gjatë eventit, ndërsa nuk kanë munguar fyerjet, hedhja e objekteve dhe kokteil molotovit.

Fillimisht deputeti dhe zyrtari i lartë i Frontit Nacional, Gilbert Collard, u sulmua nga disa aktivistë së bashku me gruan e tij. Një veprim i dhunshëm është kryer dhe ndaj lideres të partisë së ekstremit të djathtë.

Një aktiviste femër sulmoi Le Pen në skenë, ndërsa kjo e fundit po i drejtohej të pranishmëve në takimin elektoral.

“Ne jemi në shtëpinë tonë” ishte thirrja që u dëgjua nga aktivistja. Edhe sulmi i tretë është kryer ndaj Le Pen po nga një femër.

Një grua filloi papritur të bërtiste kundër kandidates së Frontit, duke hapur bluzën e saj, ku kishte të shkruar një slogan anti-FN. Ajo është larguar menjëherë nga podiumi nga shërbimi i sigurimit.

Le Pen u detyrua edhe njëherë të ndërpresë fjalimin e saj dhe vëmendja e mediave u fokusua tërësisht tek aktivistja.

“E vetmja gjë që unë dua është të na lënë të shprehim idetë tona” komentoi Le Pen para simpatizantëve pas incidentit. Në të tre incidentet kanë ndërhyrë forcat e sigurisë dhe zyrtarët e Frontit Nacional dhe fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar.