Koreja e Veriut kërcënon: Do të kryejmë teste raketore çdo javë
Përkundër paralajmërimeve të ShBA-ve, Koreja e Veriut ka kërcënuar se do të kryejë teste të raketave çdo javë....

Përkundër paralajmërimeve të ShBA-ve, Koreja e Veriut ka kërcënuar se do të kryejë teste të raketave çdo javë.
Deklarata erdhi ndërsa zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara, Mike Pence, ndodhet për një vizitë në Japoni për të forcuar bashkëpunimin e sigurisë.
“Armët tona bërthamore na mbrojnë nga rreziku. Ne do të vazhdojmë të kryejmë teste të tjera në baza javore, mujore dhe vjetore”,- tha zëvendësministri i Jashtëm koreano-verior, Han Song-Ryol.
Teksa Kim Jong-un kërcënon për një luftë të pashmangshme bërthamore, bashkësia ndërkombëtare ende është në dilemë lidhur me shkaqet që kompromentuan testin e raketave të dielën e kaluar në Korenë e Veriut.
Ashtu si eksperimentet e tjera të ngjashme që i paraprinë asaj, ekzistojnë dyshimet se raketa të jetë sabotuar në distancë nga Shtetet e Bashkuara nëpërmjet sulmeve kibernetike nga hakerat e Inteligjencës në Uashington. Kjo teori nuk po qarkullon vetëm në portale dhe rrjete sociale.
Hipoteza është konfirmuar edhe në fjalët e një këshilltari të ekspertëve në Shtëpinë e Bardhë, që gjendet në udhëtim me zëvendëspresidentin, Mike Pence, i cili deklaroi se shërbimet inteligjente të Shteteve të Bashkuara kanë pasur nën kontroll raketën para dhe pas nisjes së dështuar.
