Raporti i OSBE-së, Erdogan: Raportet tuaja nuk vlejnë!
Pak orë pas raportit të OSBE-së se zgjedhjet për referendumin në Turqi....

Pak orë pas raportit të OSBE-së se zgjedhjet për referendumin në Turqi nuk ishin të standardeve ndërkombëtare demokratike, ka reaguar edhe presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, i cili thotë se delegacioni vëzhgues i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Europian duhet të dijë cakun.
“Në Europë ka një organizatë, OSBE-ja, që po përgatit një raport për referendumin në të cilin do të thotë se zgjedhjet në Turqi ishin të këtilla apo të atilla. Fillimisht duhet të dini vendin tuaj dhe të shikoni punën tuaj. Raportet me përmbajtje politike që ju keni përgatitur ne as nuk i shikojmë, as nuk i dëgjojmë. Ne do të vazhdojmë rrugën tonë”,- theksoi presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.
Erdogan ka rikujtuar se BE-ja e mban tashmë në pritje Turqinë për 54 vite rresht. “Tashmë është koha jonë, do të ulemi të bisedojmë, por në fund vendimin do e japë populli ynë”,- thotë Erdogan.
“Kush është autoriteti që do të japë vendimin? Populli! Edhe ne i drejtohemi popullit tonë, çfarë vendimi të japë ai ne do të jemi në përputhje me të. Ose do të mbajnë premtimet që i kanë dhënë Turqisë, ose do të përballen me këtë rezultat. Kjo punë nuk mund të vazhdojë në mënyrë duke vërsulur mbi vendin tonë organizatat terroriste, duke i ofruar mbështetje me armë dhe para në mënyrë të fshehtë”,- u shpreh presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.
Erdogan thotë se Turqia do të vazhdojë luftën e fuqishme kundër të gjitha organizatave terroriste në rajon, dhe pavarësisht pasojave, nuk do të lejojë veprimin dhe organizimin e strukturave terroriste në kufijtë e saj. Ata që mendojnë se do të gjunjëzojnë Turqinë, së shpejti do ta kuptojnë se janë gabuar me terroristët që i kanë përdorur në rajon si ushtarë mercenarë, ka theksuar Erdogan.
Presidenti turk ka marrë tashmë urimin nga presidenti amerikan, Trump, i cili e ka falënderuar për mbështetjen ofruar Amerikës për bombardimin e bazës ajrore siriane më 7 prill. Por, me gjithë festën e mbështetësve të Erdoganit, ende qytetarë të shumtë kundërshtojnë rezultatin. Partia Opozitare, CHP, kërkon anulimin e referendumit si të vetmen mënyrë për ta qetësuar popullin. (Gazmend Kurtishi, TVM2)
