Rama: “Platforma e Tiranës”, mit i qarqeve negative
Kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka paralajmëruar se “Europa mund të përballet me një makth”....

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka paralajmëruar se “Europa mund të përballet me një makth” nëse vendet e Ballkanit “çmenden” si pasojë e nxjerrjes së zgjerimit jashtë agjendës së Unionit.
Në një intervistë për “Politico”, Rama ka paralajmëruar se, ndalimi i procesit të zgjerimit mund të destabilizojë Europën, duke theksuar se, “kjo alternativë do të ishte një makth për popullin dhe vendet e Europës”.
“Si mund të jetë Unioni më i sigurt nëse Ballkani çmendet? Si mundet që Bashkimi Europian të lejojë krijimin e një zone gri në zemër të kontinentit, ku aktorë të tjerë mund të kenë më shumë influencë se vetë BE-ja? Kjo është diçka e pakuptimtë në aspektin e sigurisë”,- ka vijuar Rama.
Nëse venitet perspektiva për anëtarësimin e Ballkanit në BE, nuk mund të përjashtohet as bashkimi i Shqipërisë me Kosovën, tha Rama, por duke shtuar gjithsesi se ky do të ishte skenari i fundit, nëse shuhet shpresa për bashkimin e madh në BE.
“Mënyra e vetme për të ruajtur paqen në Ballkan është që shtegu drejt BE-së të jetë i hapur, që perspektiva të jetë e qartë dhe që ndjenjat karshi BE-së të jenë pozitive. Askush nuk do të shohë drejt unioneve më të vogla. Të gjithë duan që të bashkohen në Unionin e madh. Por, nëse nuk ka shpresë, nuk ka perspektivë dhe nuk ka hapësirë, atëherë bashkimet e vogla mund të ndodhin”,- ka thënë Rama.
I pyetur për platformën shqiptare në Maqedoni, të kritikuar nga Shkupi zyrtar, Rama ka theksuar se ai vetëm sa ka lehtësuar një takim mes krerëve të politikës shqiptare në Maqedoni dhe nuk ka ndërhyrë në punët e brendshme të saj.
“Ka një mit të krijuar në Shkup për qëllime politike, se partitë shqiptare po ndjekin një platformë të hartuar në Tiranë. Kjo është një gënjeshtër, një mit i krijuar nga qarqe politike negative. E fundit gjë që i duhet Maqedonisë, gjëja e fundit që na duhet të gjithëve, është t’i fusim benzinë konfliktit ndëretnik, këto gjëra nuk kontrollohen dot më”,- ka thënë Rama. Ai ka shtuar se, shqiptarët e Maqedonisë i kanë të gjitha të drejtat të kërkojnë barazi me vëllezërit e tyre maqedonas dhe se deklarata është e drejtë legjitime që buron nga Marrëveshja e Ohrit e cila i dha fund një konflikti etnik.
Rama, gjithsesi, për momentin nuk e sheh luftën si “skenarin e parë” për Ballkanin, por, sipas tij, ruajtja e qetësisë varet nga faktorët ndërkombëtarë, BE-ja dhe ShBA-të. (Meral Ismaili, TVM2)
