Botë
117 vjeç, pret vërtetim nga “Guinness”. Violeta Brown, personi më i vjetër në botë
18.04.2017 15:44
Violeta Braun, është personi më i vjetër në botë. Ajo ka kaluar 117 vitet e saj, në Xhamajkë...

Violeta Braun, është personi më i vjetër në botë. Ajo ka kaluar 117 vitet e saj, në Xhamajkë, duke prerë kallamët e sheqerit në fushat pranë fshatit të saj.
Ajo u kthye në personin më të vjetër të botës vetëm këtë të shtunë, pas vdekjes së italianes, Emma Morano, që kishte lindur në 29 nëntor të vitit 1899.
Ginisi ende nuk e ka njohur këtë rekord, por ajo e ka ende certifikatën e lindjes të dhënë nga autoritetet britanike që sundonin Xhamajëkën para 117 vitesh dhe njohja zyrtare është vetëm çështje kohe.
“Nuk e dija që jam personi më i vjetër në botë. Kam një ndjenjë sikur duhej të kisha ikur në botën tjetër para shumë kohe, por zoti e ka shkruar kështu dhe mua më mbetet vetëm ta pranoj këtë jetë të gjatë”,- u shpreh personi më i vjetër në botë, 117 vjeçarja, Violeta Braun.
Nuk ka ndonjë ushqim të preferuar, nuk ha vetëm mish derri dhe mish pule, të tjerat i ha pa naze. Por, kur e pyet se cili është sekreti i jetëgjatësisë, thotë se nuk është ushqimi, por puna.
“I shihni kodrat atje? Me burrin kemi punuar gjithnjë atje. Kemi bërë punë të rëndë, ai mbillte kallama sheqeri dhe padyshim që unë e kam ndihmuar gjithë jetën”,- theksoi zonja Braun.
Violeta kalon ditët në shtëpinë e djalit të saj 97 vjeçar.
Edhe pse do donte të jepte mesazhin se jetëgjatësia varet nga jeta që bën dhe ushqimi që ha, në fund të bind se është punë e zotit dhe Violeta, edhe sot që mezi ecën, nuk lë ditë pa shkuar në kishën e saj për t’u falënderuar për vitet e lejuara t’i kalojë mbi tokë.
