Kulturë

Trashëgimia kulturore dhe historike, Arabati Baba Teqe dhe kalaja, në harresë

18.04.2017 16:14

Kalaja dhe Arabati Baba Teqe janë dy lokacione të rëndësishme për qytetin e Tetovës...

Që të dyja vendet kanë luajtur rol shumë të rëndësishëm në historinë shqiptare, jo vetëm në Maqedoni, por edhe më gjerë. Ato kanë shërbyer si shtabe për kryengritjet e lashta e të reja të shqiptarëve, por sot kjo histori shumë pak ruhet nga shteti.
 
“Këto dy lokalitete kanë një rëndësi të veçantë në historinë kombëtare, edhe Arabati edhe Kalaja e Tetovës kanë luajtur një rol të rëndësishëm në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare. Dy kryengritjet, edhe e para edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore që kanë bërë shqiptarët, Shtabin e kryengritjes Dervish Cara e ka pasur në Aarabati Baba Teqe, dhe gjatë kësaj lëvizje ka qenë e rëndësishme edhe Pashallaku i Tetovës, ku për qendër e ka pasur Kalanë e Tetovës. Arabati Baba Teqe është i njohur pasi të gjitha lëvizjet kombëtare janë mbajtur aty, edhe gjatë kryengritjes së Dervish Carës, më vonë edhe gjatë shpalljes së pavarësisë Teqja e Tetovës ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm. Këto dy monumente, edhe pse kanë rëndësi të madhe historike, shumë pak janë të ruajtura, të mbrojtura nga vetë institucionet shtetërore këtu, edhe ne vetë shqiptarët kemi shumë pak kujdes për t’i ruajtur dhe mirëmbajtur këto monumente historike”,- tha historiani, Vebi Xhemaili.
 
Qytetarët e njohin rëndësinë e këtyre dy vendeve historike, por thonë se institucionet duhet të bëjnë më shumë për mbrojtjen e kësaj trashëgimie kulturore e historike.
 
“Të mbrojtura asgjë, s’janë, këto duhen të mbrohen sa më shumë, pastërtia duhet, objektet duhet të rregullohen, pasi vend më i bukur se këtu nuk ka. Asgjë hiç nuk kanë bërë, vetëm këtë murin që e ndërtuan, por është dashur të ndërtohen edhe objektet tjera”,- u shpreh një qytetar.
 
“Kjo pasuri, ky vend këtu është shumë i bukur, nuk ka si ky vend, mirëpo kjo duhet të përmbahet, shiko kjo si është bërë, duhet të mirëmbahet, duhet rregullohet, të ketë rregull, këtu nuk ka”,- tha një qytetar.
 
Arabati Baba Teqe po shkatërrohet nga neglizhenca dhe mosmarrëveshjet e deritanishme ndërinstitucionale. 
 
Tashmë nga marsi, Arabati Baba Teqe është kthyer në pronësi të myftinisë së Tetovës, e cila do të duhet të përkujdeset për ruajtjen e këtij monumenti jo vetëm fetar, por edhe të një rëndësie të madhe historike.
 
Por, aktualisht askush nuk ka një ide të qartë çdo të bëhet me këtë objekt.
 
Edhe Kalaja e Tetovës pret që më në fund shteti të kujtohet e të vërë dorë mbi të, pasi muret e saj ngadalë kanë filluar të rrënohen, duke zënë poshtë tyre neglizhencën për këtë pjesë të historisë sonë. 
 
VISAR SADIKI