Maqedoni

Vjen vendimi për lëshimin e konvikteve, Xhemaili: T’i strehojë MPPS në objektet e veta. Të zhvendosurit: Nuk kemi ku të shkojmë

18.04.2017 16:44

Tashmë 18 ditë, qeveria i ka dorëzuar konviktit studentor në Seniç të Shkupit...

Tashmë 18 ditë, qeveria i ka dorëzuar konviktit studentor në Seniç të Shkupit urdhrin që të largojë të gjitha familjet që janë strehuar aty që nga vërshimet e gushtit të vitit të kaluar.
 
Tashmë 18 ditë, harxhimet e tyre i paguan vetë konvikti. Drejtori, Lulzim Xhemaili, thotë se këta njerëz nuk kanë ku të shkojnë dhe i apelon Ministrisë për Punë dhe Politikë Sociale që të përmbushë premtimet e t’i marrë banorët për t’i strehuar në objektet e kësaj Ministrie. 
 
“Gjatë festave nuk mora asnjë vendim, kurse nga sot është marrë vendimi që t’i lëshojnë hapësirat tona, dhe nga sot u është ndërprerë edhe ushqimi. Popullata që është e vendosur këtu është mjaftë e revoltuar për momentin. I kuptoj brengat e tyre. Ministri ka sjellë një vendim dhe atij vendimi duhet t’i rrinë mbrapa, që d.m.th. është dashur që sot në mëngjes t’i dërgojë veturat e veta, t’i marrë këta njerëz pas deklaratave të tij e t’i strehojë dhe nuk ka nevojë të paguajë për mjetet shtesë që i bëjnë për ndejën e tyre këtu”,- theksoi drejtori i Konviktit “Tome Stefanovski-Seniç”, Lulzim Xhemaili.
 
Banorët e revoltuar thonë se s’kanë ku të shkojnë, madje ankohen se dëmshpërblimet e marra janë shumë pak në krahasim me dëmin e pësuar. Kërkesa e tyre është që ministri të heq dorë nga vendimi i tij dhe t’u lejohet qëndrimi i mëtutjeshëm edhe për disa muaj.
 
“99% e familjeve janë në atë gjendje, shtëpitë janë duke u ndërtuar, poshtë ka lagështi të madhe, unë për vete patosin (dyshemenë) tre herë e kam rregulluar dhe sërish nuk bëhet shtëpi. Ky vendim i ministrit duhet të korrigjohet dhe të na lejohet së paku edhe dy muaj, se deri në muajin e shtatë vështirë që mund të bëjmë diçka”- u shpreh Fatmir Gashi.
 
“Unë s’kam ku të shkoj, nëse ma ndërtojnë shtëpinë unë do të shkoj menjëherë në shtëpinë time, por aty s’kam ku shkoj. Le te vijë ministri, le të vijnë të gjithë, nëse ata munden të jetojnë në atë shtëpi, atëherë edhe unë pa problem do të shkoj aty. Nuk është shtëpia për të banuar në të, se përndryshe kush e le shtëpinë e vet dhe të shkojë të jetojë në konvikt”,- theksoi Azize Kaleshi.
 
Në konviktin “Seniç” janë të strehuar 79 banorë nga Hasanbegu dhe vendbanimet tjera të rrethit të Shkupit të prekura nga përmbytjet e vitit të kaluar. 
 
Në vërshimet e 6 gushtit të vitit të kaluar, në rajonin Hasanbeg-Haraçinë u përmbytën mbi 5.000 shtëpi, ndërsa përveç dëmeve materiale pati edhe viktima në njerëz.
 
BELINDA KOKA-ADEMI