Ligji për Mbrojtje Sociale, MPPS: të zhvendosurit të bëjnë ankesa me shkrim
Ministria e Punës dhe Politikës Sociale thotë se do të sigurojë akomodim për personat e rrezikuar...

Ministria e Punës dhe Politikës Sociale thotë se do të sigurojë akomodim për personat e rrezikuar, të cilët prej sot duhet t'i braktisin ambientet e Shtëpisë "Tome Stefanovski - Seniç".
Por, sipas MPPS-së, vetëm tre familje nuk kanë asnjë kusht për kthimin në shtëpitë e shkatërruara dhe nuk kanë as të afërm ku mund të strehohen.
Ministria thotë se këto familje tani mund të veprojnë në bazë të Ligjit për Mbrojtje Sociale, ndërsa deri tani me të gjithë ata që strehoheshin në konviktin Seniç është vepruar konform vendimit të Qeverisë të miratuar pas përmbytjeve, i cili edhe skadoi më 31 mars.
Nga Ministria potencojnë se personat të cilët janë në rrezik social dhe të cilët kanë nevojë për çfarëdo lloji të mbrojtjes, duhet të parashtrojnë kërkesa me shkrim deri te qendra kompetente vendore për punë sociale dhe shërbimet kompetente do të veprojnë në mënyrë përkatëse.
