Maqedoni
Shprehia për t’u siguruar, kompanitë e sigurimeve të pakënaqura
18.04.2017 17:11
Edhe pse të dhënat nga Shoqata për sigurime dhe Agjencia për Supervizionin e Sigurimeve tregojnë rritje të vetëdijes...

Edhe pse të dhënat nga Shoqata për sigurime dhe Agjencia për Supervizionin e Sigurimeve tregojnë rritje të vetëdijes së qytetarëve mbi nevojën e sigurimeve, në vendin tonë sigurohet vetëm ajo që është e domosdoshme.
Qytetarët ende nuk e kanë bërë shprehi të sigurojnë pronën e tyre edhe përskaj fatkeqësive të shumta natyrore që goditën vendin tonë këto vitet e fundit. Gjithsesi, fatkeqësitë kanë shtuar numrin e sigurimeve.
Vitin e kaluar pronën e tyre nga vërshimet dhe tërmetet e kanë siguruar 26.254 persona, që është në rritje dyfish nga viti 2015. Por, edhe kjo shifër nuk është e kënaqshme për kompanitë e sigurimeve.
“Sigurimi i përgjithshëm i pronave është 20%, nga të cilat vetëm 6% janë sigurime për amvisëri, përkatësisht sigurim i objekteve individuale dhe kolektive për të cilin e dimë se në treg ka të regjistruar rreth 700 mijë subjekte të regjistruara”,- deklaroi Vesna Gorçeva nga Oda Ekonomike e Maqedonisë.
Vitin e kaluar, për dëme nga vërshimet janë paguar 600 mijë euro, ndërsa për tërmete ka vetëm tetë pagesa. Për dallim nga sigurimi i pronës, sigurimi i bujqësisë vitin e kaluar shënon rënie prej 3.38%.
“Ulja e përgjithshme ka të bëjë me rënien e madhe të marrëveshjeve në pjesën e sigurimit të kafshëve edhe atë për 40% ka marrëveshje më pak të shitura, ose për 78% më pak premi të realizuar bruto në polisë krahasuar me vitin e kaluar”,- theksoi kryetari i Këshillit të Ekspertëve në Agjencinë për Mbikëqyrjen e Sigurimeve, Klime Poposki.
Në mënyrë bindëse, pjesa më e madhe shkon te sigurimi nga auto përgjegjësi, më pas sigurimi i pronës dhe sigurimi kasko i automjeteve. Marrë në përgjithësi, janë lidhur afër 1.3 milion polisa në vlerë prej mbi 140 milionë euro, që është në rritje prej 5.34%. Në vitin 2016, jetën e tyre e kanë siguruar 13.733 qytetarë, ndërsa vlera e përgjithshme e sigurimit të jetës është 21 milionë euro.
ERSAN PAJAZITI
