Maqedoni
Vazhdon “status quo”-ja në Kuvend
18.04.2017 17:38
Kuvendi vazhdoi debatin për të ashtuquajturën “Platforma e Tiranës”, bashkë me të edhe akuzat për tradhti...

Kuvendi vazhdoi debatin për të ashtuquajturën “Platforma e Tiranës”, bashkë me të edhe akuzat për tradhti, edhe pse në rend dite është zgjedhja e kryetarit dhe anëtarëve të Komisionit për Çështje të Zgjedhjeve dhe Emërimeve.
Disa deputetë, madje, vetë deklarojnë se po e keqpërdorin foltoren dhe përmes proceduraleve mbajnë fjalime ose bëjnë replika për tema që nuk janë pjesë e seancës konstituive. Kryesuesi, me ndërhyrje sporadike për shkeljet e Rregullores së Kuvendit.
“Tani diskutojmë në Kuvend si pasojë e disa lojërave manipuluese paszgjedhore, të cilat siç duket kanë për qëllim të gjenerojnë kriza të reja, më të mëdha nga ato me të cilat u përballëm deri tani. Sikur të jemi pjesë e ndonjë skenari. Dikush në këtë shtet punon kundër stabilitetit të saj. Dikush ka interes ndryshe nga ai që deklaron”,- theksoi Trajçe Dimkov nga VMRO-DPMNE.
Përderisa deputetët e koalicionit të kryesuar nga VMRO-DPMNE ftojnë në zgjedhje të parakohshme për të vënë “Platformën” para votuesve, deputetët e shumicës së re parlamentare mohojnë pretendimet e të parave dhe ftojnë për transfer të shpejtë dhe të qetë të pushtetit.
“Arsyeja e vetme për një obstruksion të tillë është mbrojtja e privilegjeve që keni. Nuk ka asnjë arsye tjetër. Pse nuk jeni të sinqertë dhe nuk tregoni se në vitin 2008, pas zgjedhjeve, a e pyetët popullin për Ligjin për gjuhët? Në 2011, pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare a organizuat zgjedhje të reja parlamentare që të pyesni popullin a është për amnisti për rastet e Hagës? Ç’është kjo hipokrizi. Ne sot duhej të flisnim për problemet reale të qytetarëve”,- theksoi Tomisllav Tuntev nga LSDM.
“Ju kisha kërkuar të merreni me problemet që i takojnë shoqërisë në Maqedoni. Merruni me problemet për komunat, merruni me krizat reale, mos krijoni kriza që nuk ekzistojnë! Lëreni Tiranën rehat! Merruni me Shkupin! Ju e dini shumë mirë se çfarë krize është në Shkup. Kriza institucionale. Nga disa ditë nuk funksionon asnjë institucion në këtë shtet”,- tha Ejup Alimi nga BDI.
“Për Lëvizjen “Besa”, kjo është Deklaratë e përbashkët e partive politike shqiptare në Maqedoni. Në titull shkruan kështu, pikërisht. Dhe kjo deklaratë nga Lëvizja “Besa” është miratuar në Shkup, më 7 janar 2017. Nëse dëshironi të merrni një alibi të këtillë për të thelluar krizën edhe më tej, mendoj se kjo nuk i shërben askujt”,- u shpreh Afrim Gashi nga “Besa”.
Proceset paszgjedhore kanë ngecur për shkak të refuzimit të VMRO-së që të kalojë në opozitë pas dështimit të mandatarit Gruevski dhe vendimit të presidentit Ivanov që t’i ndajë mandatin kandidatit të shumicës së re parlamentare.
SHPËTIM NUREDINI
