Maqedoni
Bildt: Zbatoni Kushtetutën, me të zgjidhen problemet; LSDM: Të respektohet vullneti i shumicës së qytetarëve; Ahmeti: Ne bëmë ç’mundëm, topi tek VMRO dhe LSDM
18.04.2017 17:51
Mënyra e vetme për të zgjidhur problemet në çdo vend evropian është zbatimi i kushtetutës dhe praktikave demokratike...

Kështu ka porositur ish-ministri suedez për Punë të Jashtme, Karl Bildt, pas takimit me kreun e LSDM-së, Zoran Zaev.
“Ju kishit zgjedhje, keni Kushtetutën si çdo shtet evropian. Ndonjëherë mund të ketë probleme, por ndiqeni Kushtetutën dhe praktikat demokratike. Kjo është mënyra e vetme se si zgjidhen problemet në demokracinë evropiane. Maqedonia udhëhiqet nga maqedonasit, por unë e di që Maqedonia dëshiron të bëhet anëtare e BE-së dhe dëshiron të kalojë në shkallën tjetër të procesit. Unë personalisht kam pasur mbështetje të madhe ndër vite. Jam i njoftuar me çështjen e njohur të emrit, por edhe çështjet tjera, si standardet demokratike”,- deklaroi ish-shefi i diplomacisë, Suedeze Karl Bilt.
Gjatë takimit me Bildt është konstatuar se proceset demokratike janë të patjetërsueshme dhe se patjetër duhet të respektohet Kushtetuta nga të gjitha palët, thuhet në kumtesën e LSDM-së pas takimit.
“Shumica parlamentare do ta marrë detyrën që ta zhbllokojë procesin demokratik në Parlament në bazë të Rregullores, Kushtetutës dhe ligjeve. Do të zgjidhet shpejt kryetari i Kuvendit, ndërkaq më pas edhe Qeveria e re reformuese. Ky është vendim i shumicës së qytetarëve, e shprehur në zgjedhjet parlamentare, dhe institucionet në shtet janë të obliguara të sigurojnë transferim të qetë të pushtetit”,- qëndron në komunikatën e LSDM-së.
Pas takimit me Bildt, kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, ua ka hedhur topin për dalje nga kriza dy partive të bllokut maqedonas, LSDM-së dheVMRO-së.
“BDI i ka bërë të gjitha veprimet e duhura që janë kërkuar, kjo do të varet prej mirëkuptimit që do të gjejnë dy partitë politike maqedonase. Zgjedhjet e parakohshme nuk i shohim si zgjidhje të situatës. Sigurisht që të gjitha veprimet që bëhen duhet bërë me maturi dhe pjekuri, dhe për çdo veprim që çon drejt konstituimit të institucioneve, ne jemi të gatshëm që të veprojmë në bazë të rregulloreve dhe ligjeve”,- theksoi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Bildt ka takuar edhe krerët e Lëvizjes “Besa”.
“Ne i treguam opinionin tonë, mënyrën se si po veprojmë se si po mundohemi që maqedonia ore më shpejt të del nga kriza, dhe ishte njëtakim i frytshëm për ne. Në fund falemndruam për angazhimin e tyre dhe u bë me dije se ne jemi të gatshëm se në çdo hap në çdo moment të jemi përkrah procesit i cili do ta ndihmon vendin për dalje nga kriza”, tha Bilafrim Gashi, nga Lëvizja “Besa”.
Ndërkaq, ndonëse kishte paralajmërime se ish-ministri i Jashtëm suedez do të takohej edhe me presidentin e vendit, Gjorge Ivanov, një gjë e tillë nuk do të ndodhë.
Ai tha se më prioritet i ka takimet me forcat politike në vend dhe se nuk është i interesuar të takohet me presidentin, Gjorge Ivanov, edhe ky i fundit dje tha se nuk planifikon të presë diplomatin.
NAIM RAMADANI
