Botë

Kaliforni, një burrë i armatosur vrau tre persona

19.04.2017 10:13

Një ngjarje e rëndë është shënuar në Kaliforni të Shteteve të Bashkuara, teksa një agresor me ngjyrë ka vrarë me armë zjarri tre persona...

Një ngjarje e rëndë është shënuar në Kaliforni të Shteteve të Bashkuara, teksa një agresor me ngjyrë ka vrarë me armë zjarri tre persona, ndërsa la të plagosur një të katërt.
 
Kori Ali Muhammad mësohet se ka bërtitur “Zoti është i madh” në gjuhën arabe, e më pas ka qëlluar për rreth një minutë e gjysmë në drejtim të viktimave. 
 
Pasi kanë analizuar të dhënat paraprake, autoritetet thanë se në këtë moment nuk mund të përjashtohet asnjë skenar, por shtojnë se dyshimet më të mëdha janë se bëhet fjalë për një sulm mbi motive racore dhe jo për terrorizëm. Kjo për faktin se të katërt personat që u kthyen në objektivin e agresorit ishin të bardhë. 
 
Në rrjetet sociale, 39-vjeçari kishte postime të shumta me përmbajtje të qartë urrejtjeje ndërracore, gjë që përforcon deklaratat paraprake të policisë. 
 
Ai gjithashtu shprehte vazhdimisht qëndrime anti-qeveritare. Dëshmitarët okularë treguan se Kori Ali Muhammad kishte hapur zjarr gjatë kohës që qëndronte në brendësi të makinës së tij. Ata shtuan se e kishin parë agresorin të ndërronte disa herë karikatorët. Diçka e tillë ka ndodhur deri në neutralizimin e tij nga forcat e sigurisë. 
 
39-vjeçari është gjithashtu i dyshuar për një tjetër ngjarje të rëndë, ku kanë mbetur një i vrarë dhe një i plagosur, ndaj hetuesit do të shohin nëse ekziston një lidhje mes tij dhe rastit në fjalë. 
 
Vrasja e tre qytetarëve në Kaliforni pritet të ndezë edhe një herë debatin mbi kontrollin e armëve, pasi çdo vit në Shtetet e Bashkuara humbasin jetën mesatarisht afro 30 mijë persona.