Maqedoni

“Jetimi, amaneti ynë”, O. H. “Kalliri i Mirësisë” filloi javën e jetimit

19.04.2017 14:06

Prej sot deri më 23 prill, Organizata Humanitare “Kalliri i Mirësisë” organizon fushatën e javës së jetimit me moton “Jetimi, amaneti ynë”...

Janë 1176 fëmijë që janë gëzuar gjatë kësaj jave në vitet e kaluara, kur “Kalliri i Mirësisë” dhe njerëz të shumtë u kanë mundësuar shëtitje në vende të ndryshme, ndihmë materiale dhe më e rëndësishmja kanë ndjerë dashurinë e të gjithëve të fokusuar pikërisht te këta fëmijë. 
 
“Me veprimtarinë 25-vjeçare ne jemi munduar ta realizojmë në mënyrën më të duhur, duke ofruar për fëmijët jetim përkujdesje materiale, formim edukativ dhe aftësim profesional. Krejt me një qëllim që fëmijët të cilët përkujdeset për ta Shoqata Humanitare “Kalliri i mirësisë” të bëhen fëmijë produktivë, të bëhen pozitivë në shoqërinë e tyre dhe të jenë të gatshëm që të vazhdojnë ardhmërinë e tyre me dinjitet dhe krenari”,- deklaroi kryetari i O. H. “Kalliri i Mirësisë”, Rufat Sherifi.
 
Agjenda e tyre është e ngjeshur sivjet.
 
Në javën e jetimit, fëmijët që ndjejnë në njëfarë forme mungesë të dashurisë së njërit apo dy prindërve do të kenë mundësi të udhëtojnë në qytetet të ndryshme dhe do të kenë rastin që të vizitojnë monumente kulturore-historike të vendit. 
 
REJHANE BUSHI-METAJ