50 vjet Servisi në gjuhën shqipe - TVM, Ibrahimi: Nevojitet pavarësi financiare e TVM2
Servisi publik duhet të promovojë pluralizëm të ideve, duke qenë në funksion të kohezionit shoqëror....

Servisi publik duhet të promovojë pluralizëm të ideve, duke qenë në funksion të kohezionit shoqëror, edukativ dhe arsimor. Pas gjysmë shekulli funksionimi të programit në gjuhën shqipe, në emisionin debativ “Argument” në TVM2 u përcoll mesazhi se Servisi publik do të duhet të jetë në shërbim të publikut edhe përkundër shumë peripecive.
“Televizioni duhet të ruajë ato korniza që debati të ngelet debat, interesi publik të ngelet interes publik dhe mos të shndërrohet televizioni në mekanizëm të partisë që është në pushtet, i fitova unë zgjedhjet dhe kam fituar me automatizëm televizionin e Maqedonisë, radion e kështu me radhë”,- deklaroi profesori universitar, Qashif Bakiu.
Kryetari i Shoqatës së gazetarëve, Naser Selmani, tha se për funksionim normal financiar, brenda RTVM-së do të duhet të kthehet shërbimi për mbledhjen e taksës radiodifuzive. Por, profesori, Sefer Tahiri, doli me propozim tjetër, që taksës radiodifuzive aktuale t’i shtohen edhe para të buxhetit.
“Ky sistem që është ekzistues nuk funksionon. Drejtoria e të hyrave publike mbledh mbi 90% të taksave tjera të shtetit, ndërsa nuk është në gjendje të mbledh taksën radiodifuzive. Ju e dini se në Radiotelevizionin e Maqedonisë është shuar shërbimi që mblidhte taksën radiodifuzive. Pa mos e kthyer ju atë shërbim që mbledh taksën nuk mund të pretendoni se do të mund ta mblidhni taksën”,- theksoi kryetari i ShGM-së, Naser Selmani.
“Duhet të mbetet taksa e tillë siç është dhe duhet të gjendet një model tjetër nga buxheti, d.m.th. jo qeveria të ndajë mjete nga mjetet të cilat janë ndarë ta zëmë për Ministrinë e transportit, Hekurudhat apo për ndonjë institucion tjetër. Duhet të ketë modalitet, 0.5% të ndahen mjete nga buxheti”,- u shpreh profesori universitar, Sefer Tahiri.
Zëvendësdrejtori i RTVM-së, Harun Ibrahimi, duke zbuluar edhe një padrejtësi financiare që i bëhet RTVM-së, propozon pavarësi financiare për TVM2.
“Prej 500 mijë parapaguesve, këtë borxh ndaj RTVM-së e lajnë vetëm 300 mijë. Ne, 18% duhet të paguajmë edhe për ata 200 mijë të tjerët. Dhe këtu është ajo hilja të cilën askush nuk e tregon, ne paguajmë tatim për paratë që nuk i kemi, ai thotë faturën e ke lëshuar dhe unë t’i marr 18%... Unë dua me ligj të jetë që TVM2 dhe TVM1 të jenë të barabarta. TVM2 të ketë pavarësi financiare dhe pavarësi udhëheqëse. Nuk mundet që për TVM1 për një orë program të ketë të angazhuar dhjetë persona, ndërkaq për TVM2 të ketë dy të punësuar”,- deklaroi zëvendësdrejtori i RTVM-së, Harun Ibrahimi.
Ish-drejtori, Nijazi Muhameti, thotë se RTVM, në përputhje me realitetin, do të duhet të ndjekë edhe përvojat ndërkombëtare.
“Ka mundësi që radiotelevizioni i Kanadasë të merret si model, kanali dual i dy gjuhëve, i Belgjikës na konvenon ne. Është dualiteti gjuhësor në Maqedoni, nxjerr institucione duale. Nga televizioni i Holandës mund të merren standardet profesionale, mund të bëhet një kombinim”,- theksoi ish-zëvendësdrejtori i RTVM-së, Nijazi Muhameti.
Panelistët gjithashtu nënvizuan se do të duhet të ndryshojë mënyra e zgjedhjes së organeve drejtuese, ndërkaq përbërja shumicë e këshillit programor prej 13 anëtarësh të jetë nga sektori civil e jo nga pushteti. Në këtë 50 vjetor pritet programi në gjuhën shqipe të kalojë në transmetim 24 orësh, duke punësuar edhe mbi 60 shqiptarë. (Meral Ismaili, TVM2)
