FMN: Rritje e ulët ekonomike, ekspertët: E pritshme, jemi në krizë
FMN ul parashikimet për rritjen ekonomike në Maqedoni në 3.2%, nga 3.5%....

FMN ul parashikimet për rritjen ekonomike në Maqedoni në 3.2%, nga 3.5% siç kishte parashikuar në raportin paraprak, ndërsa për vitin e ardhshëm prej 3.4%. Ekspertët thonë se ulja e përqindjes së rritjes ekonomike është e pritshme, bazuar në faktin që Maqedonia tashmë ndodhet në një kriza të thellë politike. Ato u bëjnë thirrje politikanëve të gjejnë zgjidhje për krizën që të mundësojnë ekonominë të rimëkëmbet.
“Ky është sinjali i parë që aktiviteti ynë ekonomik është i rrezikuar. Në mënyrë gjenerale ajo është për shkak të krizës politike në Maqedoni, sepse në të gjitha raportet, si ato të vendit po ashtu edhe në raportet ndërkombëtare, theksohet si shkak për ndikim negativ në shkallën e rritjes ekonomike”,- theksoi profesori universitar, Borçe Trenovski.
“Kriza politike edhe më tej ndikon negativisht në ekonomi. Ajo që ndodh në Evropë nuk jep sinjal se do të mund të ndikojë dramatikisht edhe në ndodhitë në Maqedoni. Ashtu që pritjet e mia janë se ato numra do të korrigjohen edhe më tej dhe do të kemi një rritje më të vogël ekonomike”,- u shpreh profesori universitar, Antoni Peshev.
FMN - parashikimi rajonal: Rritje më të madhe ekonomike Shqipëria
Rritje më të lartë ekonomike në rajon, sipas FMN-së, do të shënojë Shqipëria me 3,7%, Kosova me 3,5%, ndërsa më të ulët Bullgaria dhe Kroacia me 2,9. Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina vitin do ta përfundojnë me rritje të BPV-së nga 3 për qind dhe Mali i Zi me 3,3. FMN-ja edhe për vitin 2018 parashikon rritje më të lartë ekonomike nga 4,1 për qind të realizojë Shqipëria, ndërsa pas asaj janë Kosova me 3,6, BeH-ja dhe Serbia me 3,5, Maqedonia dhe Mali i Zi me 3,4, ndërsa rritje më të ulët do të kenë Bullgaria me 2,7 dhe Kroacia me 2,6.
Banka Botërore në fillim të prillit të këtij viti doli me parashikim se ekonomia e Maqedonisë në vitin 2017 do të shënojë rritje nga 2,8 për qind, ndërsa në vitin 2018 nga 3,3 për qind.
Sipas vlerësimeve të FMN-së, ekonomia botërore sivjet do të rritet për 3,5 për qind, ndërsa në vitin 2018 për 3,6 për qind. FMN-ja në këtë parashikim del me shifra më optimiste, kjo për shkak se pritet një zhvillim i ekonomisë së ShBA-së. (Ersan Pajaziti, TVM2)
