Maqedoni
Zaev takon ambasadorët: Jemi gati të realizojmë vullnetin e qytetarëve
19.04.2017 16:16
Republika e Maqedonisë duhet patjetër t’i vazhdojë proceset demokratike...

Kjo është konstatuar në takimin e sotëm të liderit të LSDM-së, Zoran Zaev, me ambasadorët e Gjermanisë, Britanisë së Madhe, Suedisë dhe Holandës në vend, Kristin Alt’hauzer, Çarls Geret, Mars Stefanson dhe Volter Plomp.
“Shumica parlamentare prej 67 deputetëve është e gatshme të realizojë vullnetin e qytetarëve për ndryshime. Hapat në vijim janë emërimi i kryetarit të ri të Kuvendit dhe Qeverisë së re reformuese, sipas Rregullores së Kuvendit, Kushtetutës së RM-së dhe ligjeve”,- ka thënë Zaev në takim, sipas njoftimit të LSDM-së.
Sipas Zaevit, të gjitha subjektet politike duhet të sillen me përgjegjësi dhe institucionet dhe individët duhet ta mundësojnë këtë proces dhe të vetëdijesohen për “pasojat e sjelljes eventuale kundërkushtetuese në dëm të interesave shtetërore”.
“Është e domosdoshme që Trajko Veljanovski dhe Gjorge Ivanov të veprojnë sipas vullnetit të shumicës së qytetarëve, ndërsa opozita, Nikolla Gruevski dhe VMRO-DPMNE, të mundësojnë kalim të qetë të pushtetit”,- tha Zaev.
Nga partia shtojnë se në takim është vlerësuar se dalja nga kriza është në zbatimin e prioriteteve urgjente reformuese, që do t’i zhbllokonte eurointegrimet.
