Maqedoni
Aksidentet, qytetarët apelojnë për kujdes nga të gjithë
19.04.2017 16:43
Edhe përkundër fushatave sensibilizuese, numri i aksidenteve të trafikut rritet në mënyrë rapide. Pasojat shpesh janë fatale...

Njëjtë si aksidenti i fundit në Çairçankë, që rezultoi fatal për një trevjeçare. Shoferi është arrestuar, por asnjë masë ligjore nuk i kthen pas viktimat e aksidenteve.
Dhe zakonisht shumica e aksidenteve ndodhin nga pakujdesia, mosrespektimi i rregullave të trafikut, vozitja në ndikimin e alkoolit, personave të papërgatitur për në trafik dhe padyshim kalimtarëve që nuk mendojnë se dalja në rrugë në vende ku nuk duhet mund t’u rrezikojë jetën.
Qytetarët e anketuar nga TVM2 thonë se në asnjë pjesë të kryeqytetit nuk ndjehen të sigurtë në trafik.
“Hiç nuk janë të sigurta, siç mund të shihni kalimtarët nuk kanë ku të kalojnë, ndërsa drejtuesit e automjeteve në të shumtën e rasteve janë të papërgjegjshëm”,- theksoi një qytetar.
“Kujdesi nuk ka as nga ana e fëmijëve as nga drejtuesit e automjeteve. Nuk ka siguri të madhe në trafikun rrugor”,- u shpreh një qytetare.
“Jo, hiç nuk janë të sigurta, unë gjithmonë kur e kaloj rrugën frikohem, sepse makinat nuk ndalen”,- tha një qytetare.
“Polica duhet të jetë më shpesh prezente dhe të dënojë shkelësit e rregullave, siç mund të shihni këtu nuk ka vija të bardha dhe fare pak po shfrytëzohet mbikalimi”,- deklaroi një qytetar.
Prej fillimit të këtij viti, 12 persona kanë humbur jetën në aksidente,10 prej të cilëve vetëm këtë muaj. Kjo situatë alarmon njohësit e kësaj lëmie. Ata thonë se kjo mund të ndryshohet vetëm nëse siguria e komunikacionit futet si lëndë në mësimin arsimor dhe nëse policia është më prezente në terren.
“Shqetëson fakti që edhe pse muaji prill ende nuk ka mbaruar, jozyrtarisht 10 persona kanë humbur jetën në aksidente trafiku. Për të ndryshuar këtë është e nevojshme përforcimi i aktivitetit policor në terren dhe siguria e komunikacionit të futet si lëndë obligative në procesin mësimor”,- deklaroi Risto Mançev nga Këshilli Republikan për Siguri të Komunikacionit në Rrugë.
Në Çairçankë, në vendin ku u aksidentua për vdekje trevjeçarja, Seniha Lutfiu, ka një mbikalim që nuk përdoret dhe një trafik të rrëmujshëm në çdo orë të ditës.
Nxënësit e Shkollës Fillore “Liria” ka kohë të gjatë që edukohen për zbatimin e rregullave në komunikacion dhe kalimin e sigurt të rrugës duke shfrytëzuar këtë mbikalim, por drejtuesit e shkollës pohojnë se zbatimi i tyre nuk është në nivel të duhur.
“Jemi gjithnjë në kujdesje të fëmijëve në këtë shkollë. Por, fatkeqësia më e madhe është se kjo rrugë është tepër e ngarkuar dhe jogjithmonë kjo varet nga shkolla jonë. Ne shpesh bisedojmë, udhëzojmë dhe i këshillojmë nxënësit që kemi në shkollë që të bëjnë kujdes dhe të zbatojnë rregullat e komunikacionit në rrugë. Këtu jam me vite të tëra dhe mbikalimi, që është bërë veçanërisht për banorët dhe fëmijët e kësaj zone, fare pak po shfrytëzohet”,- theksoi ndihmësdrejtori i Sh. F. “Liria”, Nuri Rexhepi.
Sipas të dhënave, në vitin 2016 si pasojë e aksidenteve kanë vdekur 164 persona, ndërsa viti më i zi sipas numrit të të aksidentuarve është 2013-a, ku jetën e humbën 198 persona.
REXHEP QAMILI
