Maqedoni

“Lagja e trimave”, Bajra: Jemi ushtarë të UÇK-së, jo terroristë

19.04.2017 17:04

Pas një pauze disa javëshe, në bankat e gjykatës u kthyen për të dëshmuar sërish të akuzuarit në rastin “Lagja e Trimave”....

Deklaratë mbrojtëse kësaj radhe dha i akuzuari, Beg Bajra, i cili para trupi gjykues tregoi se kush, si dhe pse ka ardhur në Maqedoni. Bajra deklaroi se përveç që ka marrë pjesë në ndodhitë e 9 dhe 10 majit, ai ka qenë pjesë e Grupit që ka sulmuar edhe stacionin policor në Gushincë. 
 
“Në Maqedoni kam ardhur të riorganizohemi në UÇK. Akuzat për terrorizëm janë shpifje, pasi unë asnjëherë s’kam qenë dhe nuk do të jem terrorist. Asnjëherë nuk kemi ardhur për vrasje apo shkatërrim të pronave. Mirsad Ndrecaj dhe Beg Rizaj ishin organizatorët, e  jo Sami Ukshini dhe Andi Krasniqi. Në “Lagjen e Trimave” u futëm me ambulancë, ndërsa personat që na kanë dhënë ushqim dhe strehim nuk i njoh. Dorëzimi ynë u bë pasi morëm garanci se do pritemi nga OSBE. Pas dorëzimit, jam keqtrajtuar shumë deri sa më thyen nofullën në dy vende. Operacioni më është bërë me duar të lidhura dhe pa anestezion”,– tha i akuzuar në rastin e Kumanovës, Beg Bajra. 
 
Nga deklarata mbrojtëse e të akuzuarit, Beg Bajra, mund të kuptojmë se ftesën e kanë marrë nga disa persona të Maqedonisë, tha avokatja, Artene Iseini. 
 
“Beg Bajra në dëshminë e tij ishte bindës, shumë i qartë dhe në mënyrë përmbajtjesore dha një sqarim si kronologjik ashtu edhe për qëllimin dhe motivin e ardhjes së tyre në Maqedoni. I njëjti bëri sqarimin se është ftuar nga Beg Rizaj dhe Mirsad Ndrecaj në Maqedoni, të cilët janë ftuar nga disa persona nga Maqedonia për riorganizimin e UÇK-së”,- theksoi avokatja mbrojtëse, Artene Iseini.
 
Më 21 prill para trupit gjykues pritet të dëshmojnë të akuzuarit për logjistikë në rastin “Lagja e Trimave”. 
 
SANIJE DURAKU