Botë
Dimri pranveror, rikthehen palltot, reshje bore në shumë vende
19.04.2017 17:26
Pas ditëve të ngrohta të fillimit të muajit prill, temperaturat e ulëta dhe reshjet e borës gjatë natës e befasuan Ballkanin...

Reshjet e shumta të borës në Sarajevë kanë shkaktuar probleme në trafik si dhe ndërprerjen e energjisë elektrike dhe të ujit në shumë vende. Reshjet e borës në mes të pranverës kanë detyruar edhe banorët e Hungarisë të ndërrojnë rrobat e tyre dhe t’i kthehen palltove.
Temperatura deri në -5 gradë celsius, era me shpejtësi deri në 70 km në orë, si dhe borë deri në 10 cm kanë rikthyer dimrin edhe në Rumuni, ku autoritetet kanë vendosur alarm portokalli për motin e keq dhe vërshime të mundshme.
Temperaturat e ulëta dhe bora ka përfshirë edhe Republikën çeke pas ditëve rekorde të nxehta të fillimit të prillit. Bora ka arritur në 40 cm në viset malore, por ajo nuk ka munguar edhe në qytete ku e shoqëruar me erë të fortë ka shkaktuar bllokim të trafikut.
Moti i keq dhe bora nuk e anashkaluan as Sllovakinë. Edhe kjo ishte një befasi për banorët e Bratisllavës të cilët nuk e prisnin në këtë periudhë të vitit.
Edhe pjesa veriore e Polonisë u kaplua nga të reshurat e borës, temperaturat më të ulëta janë shënuar gjatë natës, të cilat kanë arritur deri në -7 gradë celsius.
Zvicra është po ashtu një nga vendet ku pas ditëve të nxehta iu rikthye borës, erës dhe dimrit.
Edhe Turqia nuk i shpëtoi “dimrit pranveror”. Limni,- një liqe në rajonin lindor të Detit të Zi,- është i ngrirë. Ky liqe është një nga atraksionet turistike të rajonit, i cili ka vizitorë të shumtë si nga vendi po ashtu edhe të huaj, ndërsa në këtë periudhë, kur si zakonisht fillojnë të funksionojnë edhe lokalet përreth tij, asgjë nuk lëviz.
Në Maqedoni bora iu kthye vendeve malore, qytetet e tjera vetëm kanë ftohtë dhe përjetojnë reshje shiu.
LEUNORA KALIQI
