Imunizimi, mjekët: Vaksinoni fëmijët me MRP
Prindërit frikësohen t’i vaksinojnë fëmijët e tyre dhe gjithmonë neglizhojnë afatet për marrjen e vaksinave MRP....

Prindërit frikësohen t’i vaksinojnë fëmijët e tyre dhe gjithmonë neglizhojnë afatet për marrjen e vaksinave MRP.
Mjekët apelojnë që me kohë të vaksinohen fëmijët që të shmangët mundësia për ndonjë epidemi të sëmundjeve ngjitëse. Prindërit në mënyrë të paarsyeshme e anulojnë vaksinën MRP, pasi mendojnë se ajo është lidhur me autizmin te fëmijët. Por, autoritetet thonë se vaksina dhe autizmi nuk kanë asnjë lidhje.
“Nuk është aspak e nevojshme që të shtyhet marrja e vaksinave, sidomos në këtë periudhë kur e dimë se në vendet e Evropës perëndimore ka epidemi të fruthit, në Romani dhe Bullgari, ku kemi edhe raste të vdekjeve. Vaksina MRP është dëshmuar në korniza ndërkombëtare dhe nuk ka kurrfarë lidhje me paraqitjen e autizmit",- deklaroi këshilltarja në Ministrinë e Shëndetësisë, Jovanka Kostovska.
Pranimi i vaksinës me MRP në moshën 13 muajshe, në vitin 2015, ishte 88 %. Aktualisht është 82 % dhe pritet të rritet, thotë Kostovska. Rivaksinimi me MRP që e marrin fëmijët e moshës gjashtëvjeçare arrin në 93% dhe ka sukses të madh, pasi janë vendosur vaksinat polivalente. (Gyltene Sinani, TVM2)
