Seanca konstituive në vazhdimin e 14, Rangellova: Platforma, dokument për ndarje

19.04.2017 18:08

Platforma, gjenocidi, pushteti lokal dhe krimi në nivel qendror ishin çështjet kryesore....

Platforma, gjenocidi, pushteti lokal dhe krimi në nivel qendror ishin çështjet kryesore për të cilat diskutuan deputetët, në vazhdimin e seancës konstituive ku duhet të zgjidhet kryetari dhe anëtarët e Komisionit për Çështje të Zgjedhjeve dhe Emërimeve. Koalicioni i kryesuar nga VMRO-DPMNE konsideron se me të ashtuquajturën “Platforma nga Tirana” është hapur Kutia e Pandorës. 

“Kjo platformë, apo çfarëdo qoftë, e verifikuar në shtet të huaj, është dokument për ndarje jo për unifikim dhe ky dokument nuk ndihmon për bashkëjetesë me popullin shqiptar”,- deklaroi Daniella Rangellova nga VMRO-DPMNE.

SELA: PO NDIZNI SHTETIN QË TË SHPËTONI KOKAT

Mirëpo, deputetët shqiptarë thonë se Kutinë e Pandorës e ka hapur pezullimi i shtetit ligjor. Deputeti, Ziadin Sela, madje qeverisjen e deritanishme e quajti regjim.   

“Ju shqetësoheni vetëm për një gjë, për miliardat për të cilat jeni në gjendje që ta ndizni një shtet të tërë, vetëm e vetëm që të shpëtoni kokat dhe përgjegjësinë para ligjit, jo më tepër se sa 10 njerëzve që i keni në udhëheqjen e VMRO-DPMNE-së. Prandaj, thirrni mendjes, sepse në këtë formë nuk shkoni askund, dhe mos u thirrni në popull sepse siç keni ju popull edhe ne populli na ka sjellë këtu”,- theksoi Zijadin Sela nga Aleanca për shqiptarët.

DIMOVSKI: PO I SHANTAZHONI MAQEDONASIT

Mirëpo, deputeti i VMRO-së Platformën e sheh si shantazhim dhe kërcënim.   

“Pritët të dobëtit, me 300 probleme, dhe me frustrime 11-vjeçare për të ardhur në pushtet dhe vetë thatë se tani është shansi që të shantazhojmë maqedonasit. Çfarë sinqeriteti është ky? A me shantazhe duhet të punojmë? Çfarë do na shantazhoni, do na mbështesni për muri? Do na kërcënoni?”,- u shpreh Ilija Dimovski nga VMRO-DPMNE.

SPASOVSKI: VELJANOSKI PROMOVON KAOSIN NË KUVEND

LSDM dënoi zhvendosjen e debatit dhe akuzoi kryesuesin me seancën si përgjegjës kryesor për, siç thonë, “kaosin” në Kuvend.       

“Kryesoni me seancën mirëpo nuk i respektoni dispozitat e Rregullores dhe lejuat debat që shkon në interes të stërzgjatjes dhe humbjes së kohës në vend që të debatojmë për atë që duhet debatuar. Ju keni përgjegjësinë më të madhe kur lejoni gjysmë ore që të debatohet për çmos pa reaguar në asnjë moment, ose promovoni rregull të ri që në Kuvend ku secili mund të debatojë kur të dojë dhe çfarë të dojë? Nëse është kështu, atëherë nuk ka nevojë që të rrini aty”,- deklaroi Oliver Spasovski nga LSDM.

Nga gjithsej 54 deputetë të paraqitur për fjalë, prej të cilëve 51 nga Koalicioni i kryesuar nga VMRO-DPMNE, në 14 vazhdime të seancës konstituive vetëm gjashtë kanë marrë fjalën. Debati është stërzgjatur përmes replikave, kundërreplikave dhe proceduraleve. Për zhbllokimin e Kuvendit, VMRO kërkon shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, ndërsa shumica e re parlamentare kërkon mandatin për formimin e qeverisë së re dhe transferin e qetë të pushtetit. (Shpëtim Nuredini, TVM2)