Botë

Zgjedhjet në Shqipëri, nuk ka koalicion PS-LSI

19.04.2017 18:28

Përfundimi i afatit ligjor për regjistrimin e koalicioneve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve do ta gjejë Shqipërinë pa asnjë koalicion të regjistruar...

Por, zgjedhjet mund të kenë ende një mundësi. Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, megjithëse nuk kanë firmosur një marrëveshje të re bashkëpunimi, janë shfaqur së bashku në një kërkesë për shtyrjen e afatit jo vetëm të koalicioneve, por edhe të partive politike.
 
Letra e dy kryetarëve të grupeve të mazhorancës nuk përcakton se me sa ditë e kërkon shtyrjen e afatit të regjistrimit të partive dhe koalicioneve, por në të thuhet se “tejkalimi i afateve me disa ditë do të kontribuonte për të krijuar hapësira që sigurojnë një proces sa më gjithëpërfshirës”.
 
Kërkesa, njësoj si situata politike, është e paprecedente dhe nuk është e thjeshtë të parashikohet vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Por, nëse KQZ-ja do të shtynte me disa ditë afatet, kjo i hap rrugë edhe përgatitjes së vizitës në Tiranë javën e ardhshme të negociatorit gjerman, David Mcallister.
 
Por, jo vetëm kaq. Me vendimin për shtyrjen e regjistrimit të koalicioneve, Partia Socialiste dhe LSI-ja i japin kohë edhe vetes për një vendim final se si do të paraqiten në zgjedhje kur të shterojnë të gjitha mundësitë e dialogut.
 
LULJETA NDOKA