Botë
Greqi, rrëzohet helikopteri ushtarak, katër viktima
19.04.2017 19:29
Një helikopter i ushtrisë greke është rrëzuar sot në mëngjes, në një zonë malore në Greqinë e veriut...

Katër persona kanë humbur jetën nga rrëzimi i mjetit, ndërsa një pjesëtare femër e ekuipazhit është e mbijetuara e vetme, e cila, e plagosur në gjendje serioze, është dërguar në Spitalin Ushtarak të Selanikut.
Bëhet fjalë për një helikopter të tipit “UH-1H”, që sipas deklaratës së Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë ka humbur kontaktet me radarët e bazës në mesin e fluturimit të tij. Ai ishte nisur nga aeroporti ushtarak i Larisës, me destinacion Kozanin.
Helikopteri është rrëzuar pranë fshatit Sarantaporo dhe menjëherë është dhënë alarmi te ndihma e shpejtë, repartet e zjarrfikësve dhe forcat e ushtrisë, të cilat janë nisur drejt zonës.
Ministri i Mbrojtjes, Panos Kammenos, shpalli tre ditë zie për forcat ushtarake të vendit. Helikopterët “UH-1H” i përkasin një armate të vjetër, me të cilën është pajisur ushtria greke.
Helikopteri i parë i këtij tipi, prodhim amerikan, është blerë në vitin 1969. Deri në vitin 1993, Greqia bleu 101 të tillë, hoqi vetëm pesë nga përdorimi deri në vitin 2010, ndërsa sipas udhëzimeve të kompanisë amerikane që i prodhonte, duhej të kishte ndaluar përdorimin e tyre deri në fund të vitit 2015.
