Maqedoni
DASH: Politikanët t’u japin fund obstruksioneve
19.04.2017 19:59
Uashingtoni zyrtar doli për herë të parë me një porosi të drejtpërdrejtë për Maqedoninë...

DASH porosit politikanët, tu japin fund obstruksioneve, në të kundërtën do të përgjigjen për veprimet e tyre.
Në një deklaratë për Zërin e Amerikës, zëdhënësi i departamentit të shtetit theksoi se qytetarët në Maqedoni zgjodhën përfaqësuesit e parlamentit në dhjetor dhe ekziston shumicë e qartë e cila pret formimin e Qeverisë.
“SHBA i inkurajon liderët në Maqedoni të bëjnë të gjithçka të mundur për formimin e Qeverisë pa shtyrje të mëtejshme në mënyrë që vendi të mund të vazhdojë reformat e nevojshme për anëtarësimin e plotë në familjen euroatlantike”, thekson DASH ndërsa tërheq vëmendjen se politikanët që përpiqen ta bllokojnë formimin e qeverisë cenojnë sundimin e të drejtës, proceset demokratike si dhe stabilitetin e Maqedonisë dhe rajonit më gjerë.
“Ne do të punojmë së bashku me parterët tanë evropianë që ti inkurajojmë këta politikanë, t’u japin fund obstruksioneve, përfshirë përgjegjësinë ndaj këtyre veprimeve”, thekson Departamenti amerikan i shtetit.
