Botë

SHBA akuza Iranit: Shteti që financon më shumë terrorizmin

20.04.2017 14:06

Administrata Trump duket se ka ndërmend të ndryshojë krejtësisht linjën e politikës së jashtme në raport me Iranin...

Administrata Trump duket se ka ndërmend të ndryshojë krejtësisht linjën e politikës së jashtme në raport me Iranin, ndërsa në një konferencë për mediat, sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, është shprehur se Qeveria iraniane po kryen veprime provokuese që rrezikojnë të destabilizojnë Lindjen e Mesme, duke prekur kështu jo vetëm interesat e Shteteve të Bashkuara, por edhe të mbarë botës.
 
Numri një i Diplomacisë amerikane nuk kurseu as akuzat e ashpra, ndërsa e cilësoi Iranin si shtetin lider në financimin e terrorizmit. Tillerson tha gjithashtu se përballë një situate të tillë, Uashingtoni nuk do të rrijë duarkryq dhe se po përgatit një plan veprimi.
 
“Provat janë të qarta. Veprimet provokuese të Iranit kërcënojnë Shtetet e Bashkuara, rajonin dhe botën. Administrata Trump aktualisht po bën një rishikim gjithëpërfshirës të politikave që kemi ndjekur me Iranin dhe sapo të kemi dalë në konkluzione do të njoftojmë linjën që do të mbajmë në të ardhmen. Irani ka kryer sulme të vazhdueshme kibernetike ndaj ShBA-ve dhe vendeve tona partnere të Gulfit. Irani është gjithashtu aktori kryesor prapa shumë sulmeve terroriste në mbarë botën. Për këto fakte dhe shumë të tjera, ne besojmë se kërcënimi prej tyre po bëhet gjithnjë e më i madh”,- deklaroi sekretari amerikan i shtetit, Rex Tillerson. 
 
Sekretari amerikan i shtetit nënvizoi se me këto ritme, qeveria iraniane do të rreshtohet përkrah qeverisë koreano-veriore. Sipas sekretarit amerikan të shtetit, Irani ka ndërmarrë sulme kibernetike kundër ShBA-së dhe partnerëve të gjirit, qëndron para sulmeve terroriste në vende të ndryshme të botës e mbështet armët e shkatërrimit në masë.
 
Republika islamike nuk ka komentuar lidhur me zhvillimet e fundit, por në vazhdimësi ka mohuar akuzat e Perëndimit se po përpiqet të ndërtojë armë bërthamore.