Botë

Venezuelë, protesta kundër presidentit Maduro, tre viktima

20.04.2017 14:34

Mijëra qytetarë në Venezuelë kanë protestuar ashpër kundër presidentit, Nicolas Maduro, ndërsa gjatë demonstratave janë regjistruar të paktën tre viktima dhe dhjetëra të plagosur...

Në radhët e viktimave përfshihen dy studentë që kishin dalë për të protestuar, si dhe një anëtar i gardës kombëtare. Përplasjet kanë qenë mjaft të dhunshme.
 
Demonstruesit kanë qëlluar me gurë dhe sende të tjera të forta në drejtim të forcave të sigurisë, ndërkohë që numërohen dëme të konsiderueshme si pasojë e zjarrvënieve dhe shkatërrimit të objekteve të ndryshme.
 
Nga ana tjetër, edhe autoritetet kanë reaguar për të shpërndarë protestën ndërsa përdorën gazin lotsjellës dhe mjete të tjera. Në demonstrata ishte i pranishëm edhe vetë lideri i opozitës, Henrike Kapriles, i cili gjithashtu nuk i shpëtoi efektit të gazit lotsjellës, sikurse duket edhe në pamje të filmuara me kamera amatore.
 
Presidenti Maduro mbajti një takim me mbështetësit e tij, ku fajësoi opozitën për viktimat, ndërsa tha se do të kërkonte arrestimin e liderëve opozitarë. Megjithatë, duket se fjala e presidentit nuk ka ndikuar në vendosmërinë e protestuesve. Këta të fundit kanë njoftuar se do të mblidhen sërish për të kërkuar dorëheqjen e qeverisë. 
 
Ndonëse një vend me resurse të shumta, Venezuela ka shënuar një rënie katastrofike në ekonomi dhe vendi ka mungesë furnizimi edhe për ushqimet bazike. Probleme të tjera madhore mbeten shkalla e lartë e kriminalitetit dhe korrupsionit.