Ahmeti pret ambasadorin Timonier: Partitë maqedonase të tejkalojnë vetveten
BDI veproi në përputhje me pritshmëritë e qytetarëve dhe ndërkombëtarëve, partitë maqedonase të tejkalojnë veten...

BDI veproi në përputhje me pritshmëritë e qytetarëve dhe ndërkombëtarëve, partitë maqedonase të tejkalojnë veten, kështu ka deklaruar lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, gjatë takimit me ambasadorin francez, Kristian Timonier.
Ahmeti thotë se BDI, si parti fituese tek shqiptarët, i dha përkrahjen vendimtare shumicës së re parlamentare për të formuar një Qeveri reformuese, e cila do të zbatojë agjendën dhe programin e paracaktuar nga komuniteti ndërkombëtar nëpërmjet zbatimit të përpiktë të reformave në gjyqësor, rrumbullakimit të Marrëveshjes së Ohrit dhe integrimit euroatlantik.
“BDI ka vijuar me përpjekjet për dalje nga kriza duke ftuar në veçanti dy partitë politike maqedonase që të angazhohen pa asnjë vonesë në drejtim të gjetjes së zgjidhjes dhe realizimit të pritshmërive të qytetarëve për paqe, stabilitet dhe siguri. Çdo vonesë paraqet mundësi për kundërshtarët e rrugës sonë drejt integrimit në NATO dhe BE për të shtruar ndikimin e tyre dhe për të thelluar hendekun midis qytetarëve të vendit tonë”,- ka deklaruar Ahmeti.
