Maqedoni
Rruga e Plastikave në Shkup, banorët: Komunikacioni është i stërngarkuar
20.04.2017 17:16
Bulevardi “Nikolla Karev”, i njohur si Rruga e Plastikave, është një prej bulevardeve më të frekuentuara të Shkupit...

Krahas veturave, këtë bulevard e shfrytëzojnë edhe kamionë mallrash për lëvizje në drejtim të Tetovës, apo Republikës së Kosovës. Kjo bën që pothuajse për çdo ditë në këtë bulevard komunikacioni të jetë i stërngarkuar.
“Qytetarët e Shkupit përballen gati çdo ditë me trafikun e stërngarkuar në këtë bulevard. Kjo rrugë paraqet edhe një problem për këmbësorët të cilët kalojnë rrugën këtu, për shkak se ka mungesë të vijave të bardha dhe mbikalimeve”- tha një qytetar.
Qytetarët thonë se problemi kryesor është qarkullimi i automjeteve të rënda transportuese, të cilat ndonëse e kanë të ndaluar, ato e shfrytëzojnë këtë bulevard në vend që ta shfrytëzojnë qarkoren rreth Shkupit. Gjithashtu problem tjetër është edhe mungesa e parkingut.
“Ne vet i kemi fajet, ne duhet ta bëjmë vet rendin ashtu si na takon, pastaj fajtor është edhe ligji, edhe ligji duhet të intervenojë dhe t’i ndihmojë popullatës. Veturat e rënda transportuese kalojnë ende këndej, ato nuk e kanë rendin, e kanë rrugën tjetër për të shkuar rreth Shkupit”,- theksoi një qytetar.
“Trafiku i ngarkuar me të vërtetë na pengon shumë, gati se çdo ditë ka ndeshje, sidomos me kamionët e mëdhenj, gati çdo ditë bëjnë ndeshje. Nuk është koha për të kaluar automjetet e rënda”,- u shpreh një qytetar.
“Nuk ka parking, parkingu nuk është i rregulluar, kështu që nuk marrin masa as komunat. Është e rrezikshme se po vijnë edhe myshterinjtë, nuk ka vija as të plota as për këmbësorë”,- tha një qytetar.
“Problemi më shumë është te kamionët që e kanë të ndaluar të kalojnë këndej dhe e bllokojnë komunikacionin. Ajo na pengon ne më shumë, për parkim, për kalim të veturave. Në vend se të arrihet më shpejt diku, këtu bllokohet dhe humb kohë”,- deklaroi një qytetar.
Banorët e kësaj pjese të qytetit gjithashtu ankohen se kanë edhe mungesë të transportit publik. Për përgjigje rreth ankesave dhe kërkesave të qytetarëve tentuam të kontaktojmë me Qytetin e Shkupit, por ata ishin të pakapshëm për të dhënë përgjigje rreth këtyre problemeve.
ERSAN PAJAZITI
