Maqedoni

Deputetët e VMRO-së debatojnë mes vete

20.04.2017 18:06

Deputetët e koalicionit të kryesuar nga VMRO-DPMNE vazhduan debatin mes vete edhe në vazhdimin e 15 të seancës konstituive...

Edhe pse neni 90 i Rregullores së Kuvendit e sanksionon qartë se diskutuesi mund të flasë vetëm për çështjen e cila shqyrtohet, deputetët e koalicionit të kryesuar nga VMRO-DPMNE vazhduan diskutimin për Deklaratën e përbashkët të partive shqiptare, që VMRO e quan si “Platforma nga Tirana”. 
 
“53 ditë, çdo ditë, njerëz të rëndësishëm na dërgojnë porosi nga rruga. Ndoshta muret e Parlamentit janë shumë të gjerë dhe këto porosi nuk të mbërrijnë te ne. Ne na duhet shtet multietnik. Porosi të tilla na dërgohen nga jashtë që të ruhet karakteri unitar i RM-së. Duhet t’i dëgjojmë.”,- theksoi Liljana Zaturoska nga VMRO-DPMNE.
 
Mirëpo deputetët shqiptarë hodhën poshtë pretendimet e kolegëve nga VMRO-DPMNE. Sipas tyre, protestat janë të organizuara nga VMRO, e cila për 25 vjet proteston kundër lirive dhe të drejtave të shqiptarëve të Maqedonisë. Ata rikujtojnë se protestuesit nuk paraqesin vullnetin e shumicës së qytetarëve. 
 
“25 vjet protestoni kundër arsimit të mesëm shqip, kundër Fakultetit Pedagogjik, kundër Universitetit të Tetovës, kundër gjuhës shqipe, kundër Marrëveshjes së Ohrit dhe ja tani kundër Deklaratës së përbashkët. Shumë gjëra nga këto janë realizuar, por nuk shoh se cili interes strategjik i maqedonasve është rrezikuar. Më duhet me keqardhje të them se nuk ju intereson shumë interesi strategjik i maqedonasve, sepse interesi strategjik i maqedonasve për ju fillon me liderin tuaj dhe mbaron me kushëririn e tij të afërt”,- u shpreh Surija Rashidi nga “Aleanca për shqiptarët”.
 
“Nga ana e përfaqësuesve të VMRO-së shpesh thirren në protestat që qytetarët i organizojnë jashtë dhe vërehet një link i këtij subjekti me protestuesit jashtë, por ta parashtrojmë pyetjen: A është gjithë populli aty? Ka edhe shumë popull, edhe maqedonas, edhe shqiptarë të cilët nuk janë aty. 69 deputetë përfaqësojnë më shumë qytetarë se 51 deputetë”,- theksoi Fadil Zendeli nga “Besa”.
 
LSDM edhe sot kërkoi nga kolegët e koalicionit që të mos keqpërdorin foltoren, ndërsa kërkuan nga kryesuesi Veljanovski që të zbatojë nenin 90 të Rregullores.
 
“Do kisha dashur edhe një herë të ftoj deputetë që t’i përmbahen rendit të ditës. Në këtë situatë, ku është e qartë për opinionin maqedonas se flitet për çdo gjë por jo për atë që është në interes për momentin, e ajo është sigurimi i transferit të qetë të pushtetit, duke filluar nga zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, dëshmon se VMRO, përfundimisht, ka humbur konceptin për mënyrën se si duhet të funksionojë demokracia në një shtet serioz. Prandaj po thirrem në nenin 90. Kjo nuk ndodh vetëm tani, por disa ditë në vazhdimësi”- u shpreh Betian Kitev nga LSDM.
 
Neni 90 i Rregullores thotë: Diskutuesi mund të flasë vetëm për çështjen e cila shqyrtohet. Nëse diskutuesi largohet nga çështja, kryetari i Kuvendit do t’ia tërheq vëmendjen që t’i përmbahet çështjes.
 
Nëse diskutuesi nuk i përmbahet çështjes edhe pasi t’i tërhiqet vëmendja për herë të dytë, kryetari ia merr fjalën.
 
SHPËTIM NUREDINI