Maqedoni
Prindërit e fëmijëve me nevoja të veçanta protestojnë para Kuvendit; Ibrahimi: Do të shqyrtohen kërkesat e tyre
20.04.2017 18:22
Prej sot e deri të dielën fëmijët me nevoja të veçanta dhe prindërit e tyre do të protestojnë përballë Kuvendit të Maqedonisë...

Prej sot e deri të dielën fëmijët me nevoja të veçanta dhe prindërit e tyre do të protestojnë përballë Kuvendit të Maqedonisë, duke kërkuar përkujdesje institucionale, terapi dhe ekipe mjekësore cilësore, si dhe kyçjen e tyre në procesin edukativo-arsimor.
Ata thonë se hallet e shumta i kanë detyruar të dalin në tenda për t’ia rikujtuar shoqërisë se fëmijët me nevoja të veçanta në Maqedoni kanë nevojë imediate për ndihmë dhe kushte më të mira.
“Protestojmë këtu për përgjegjësinë e të gjithëve me shpresë se do të mund të bëjmë diçka për të rriturit me nevoja të veçanta, duke na parë dhe dëgjuar fizikisht drejtpërsëdrejti këtu të gjithëve. Ne nuk jemi kundër askujt, këtu nuk ka politikë, thjesht kërkojmë përkujdesje më të madhe institucionale dhe jo vetëm ligje në letër, por zbatim të tërësishëm të tyre në praktikë”,- deklaroi Zoran Mijalkov nga OJQ “Zemrat e Bashkuara”.
“Prej kujt të kërkoj ndihmë për këtë fëmijë? Ne nuk kërkojmë asgjë tjetër përveç përkujdesje institucionale dhe ekipe të veçanta mjekësore, siç ka e gjithë Europa”,- theksoi prindi, Dimitar Sarpanov.
Brengosja më e madhe e këtyre prindërve është se në duart e kujt do të mbesin fëmijët pas vdekjes së tyre, duke marrë parasysh se ata nuk janë në gjendje për t’u kujdesur për vetën. Për këtë arsye ata kërkojnë ndryshime ligjore me të cilat do të mundësohet prona e patundshme e prindërve të jetë garanci se këta fëmijë do të jenë nën përkujdesjen e shtetit, duke u mundësuar jetë të mirë pas vdekjes së prindërve.
Tendat në parkun para kuvendit do të vazhdojnë të qëndrojnë deri në plotësimin e kërkesave të tyre në periudhë prej datës 20 deri më 22 për çdo muaj.
Ministri i Punës dhe Politikës Sociale, Ibrahimi, thotë se një pjesë e madhe e këtyre kërkesave janë të realizueshme.
“Ju premtoj se të gjitha kërkesat e prindërve do të shqyrtohen. Mund të them se një pjesë e madhe e kërkesave janë të pranueshme dhe të realizueshme për ne, e në veçanti kërkesave kushtuar ndryshimeve ligjore. Sa i përket përmirësimit të kushteve, do të përpiqemi bashkërisht me OJQ-të të gjejmë mundësi për të hapur qendra të reja ditore brenda vendit ku ata do të jenë të vetëqëndrueshëm dhe nuk do të varen nga financimi i drejtpërdrejt nga shteti”,- u shpreh Ibrahim Ibrahimi nga MPPS.
Ministri Ibrahimi njëherit tha se ditëve në vijmë do të vendoset edhe për fatin e familjeve të strehuara në Konviktin “Tome Stefanovski-Seniç”, të cilat do të duhet të braktisin konviktin, edhe pse një pjesë e tyre ankohen se nuk kanë ku të strehohen pasi vërshimet e vitit të kaluar në rajonin Hasanbeg-Haraçinë i kanë bërë shtëpitë e tyre të pabanueshme, ndërsa deri më tani nuk kanë mundur t’i rinovojnë.
Ai tha se të gjithë ata të cilët nuk kanë kushte ku të kthehen, do të dërgohen përkohësisht në shtëpinë e fëmijëve pa prindër “25 Maji” në Shkup.
REXHEP QAMILI
