Botë

ISIS merr përsipër sulmin në Paris, anulohen aktivitetet e fushatës presidenciale

21.04.2017 13:22

Parisi u zgjua nën ankthin e sulmit terrorist të mbrëmjes së kaluar, kur një militant i Shtetit Islamik sulmoi policinë...

Parisi u zgjua  nën ankthin e sulmit terrorist të mbrëmjes së kaluar, kur një militant i Shtetit Islamik sulmoi policinë, duke lënë të vdekur një oficer dhe plagosur dy të tjerë, një prej të cilëve është në gjendje të rëndë. 39 vjecari,  zbriti nga makina dhe hapi zjarr mbi policinë. Më pas tentoi të largohet me vrap nga vendngjarja, por u qëllua për vdekje nga efektivët.
 
Autori i dyshuar i kësaj ngjarjeje është identifikuar nga autoritetet si Karim Cheurfi, një  person me precedentë të mëparshëm penalë, i arrestuar për plagosje të policëve në vitin 2001. Cheurfi njihej nga autoritetet franceze si i radikalizuar, por nuk është e qartë pse ishte lënë i lirë. ISIS mori përsirpër sulmin përmes medias se tij Amak.
 
Terroristët e quajtën sulmuesin një ushtar të Shtetit Islamik i njohur me pseudonimin belgu. Por për fqinjët e tij, akti radikal i 39 vjecarit, ishte i papritur. 
 
"Të gjithë jemi në shok . Ai vërtetë ishte i vetmuar por sillej mirë , nuk ishte njeri problematik. Ndoshta ka qenë skizofrenik dhe ka pasur një moment lajthitjeje, nuk e di . Por nuk e dija për radikal . Unë shpesh shkoj në xhami me shokët por atë nuk e kamë parë në asnjë xhami. Nuk kam diskutuar asnjëherë me të për religjionin”, tha Salim, fqinj i të dyshuarit.
 
Autoritetet franceze dhe ndërkombëtare janë të shikuar nga rikthimi I terrorit në Francë. 
 
“E gjithë Evropa po  ballafaqohet me terrorizmin, është vënë në  shënjestër të terroristëve, vetëm sepse prezenton vlera dhe ide për paqe”, Bernard Cazeneuve,  Kryeministër i Francës.
 
"Ky është alarmi I fundit se terrorizmi mund të godasë në çdo vend dhe në çdo kohë. Ashtu si tha presidenti Trump dje, “përballë cdo të keqeje duhet të jemi të fortë dhe vigjilent”, Mike Pence, Z/v President i SHBA-ve.
 
Sulmi vjen pak para raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale franceze që do të mbahen këtë të dielë. Policia është në gjendje alarmi  dhe deri të dielën,  mbi 50 000 forca policore do të mobilizohen për të siguruar zgjedhje të qeta. Gjithsesi, të gjitha aktivitetet elektorale të kandidatëve presidencialë Fillon, Macron dhe Le Pen janë anuluar për sot. 
 
GAZMEND KURTISHI