Francë, të dielen zgjedhjet presidenciale
Të dielen francezët iu drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur presidentin e ri të vendit.....

Të dielen francezët iu drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur presidentin e ri të vendit.
Por zgjedhjet po mbahen në një klimë të rënduar për shkak të akteve terroriste nga të cilët ka qenë e prekur Franca.
Kjo ka bërë që masat e sigurisë të forcoheshin. 50 000 policë do të angazhohen në mbarë Francën, ndërsa ata do të mbështeten edhe nga 7 000 forca ushtarake.
Një klimë e tillë ka shkuar në favor të kandidates së ekstremit të djathtë, Marine Le Pen, e cila është akuzuar se po e shfrytëzon sulmet terroriste. Pas incidentit në Champs Elysee, Le Pen kërkoi mbylljen e të gjitha xhamive në vend.
Kryeministri Bernard Cazeneuve e akuzoi se po përpiqet të nxjerrë përfitime prej ngjarjes së rëndë: “Kandidates së Frontit Nacional i pëlqejnë dramat. Ajo kërkon në çdo rast të përfitojë prej tyre e të kontrollojë situatën duke hedhur farën e përçarjes”.
Edhe presidenti amerikan, Donald Trump shkroi të premten në Twitter se sulmi në Paris do të ketë ndikim në zgjedhjet presidenciale.
Ndërsa analistët në francë megjithate kanë vlerësuar se Le Pen nuk do të zgjidhet, pasi krahas deklaratave për dëbimin e migrantëve, të rrezikshme shihen edhe deklaratat e saja për të ndjekur shembullin e Britanisë për largim nga BE.
Por gjithsesi fjalën e fundit e kanë votuesit francez. Sondazhet e nxjerrin në vend të parë kandidatin Emmanuel Macron, që ndiqet nga Le Pen dhe në vend të tretë François Fillon.
Balotazhi është paraparë të mbahet më 7 maj, kur në garë do të mbeten vetëm dy nga 7 kandidatët që do të jenë nesër në garë.
