Policia nuk jep leje për protestën e opozitës, Basha fton qytetarët të dalin në protesta
Policia e Shtetit në Shqipëri ka refuzoi të japë leje për protestën e opozitës në 5 akset....

Policia e Shtetit në Shqipëri ka refuzoi të japë leje për protestën e opozitës në 5 akset në Tiranë, Elbasan, Milot dhe Lushnje.
“Kur ka arsye të motivuar se zhvillimi i një tubimi në një shesh ose vendkalim publik përbën një rrezik real për sigurinë kombëtare, sigurinë publike, parandalimin e krimit, mbrojtjen e shëndetit, ose të moralit, ose mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të të tjerëve dhe ky rrezik nuk mund të ndalohet me masa më pak shtrënguese, shefi i komisariatit të policisë mund të ndalojë zhvillimin e tubimit, ose të vendosë për kohën dhe vendin e zhvillimit të tubimit. Zhvillimi i protestave apo edhe i tubimeve të tjera në rrugët kryesore kombëtare, duke bërë bllokimin e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave, përbën një cënim të rëndë të rendit publik”, tha Altin Qato, drejtor i Përgjithshëm për Rendin dhe Sigurinë Publike.
Sipas tij policisë zhvillimi i kësaj proteste cënon rëndë rendin dhe sigurinë publike dhe po ashtu qartësisht ajo dëmton interesat e qytetarëve. Ndaj Policia e Shtetit iu bën thirrje të gjithë qytetarëve të mos marrin pjesë në këtë protestë të paligjshme dhe me rrezik të madh për rendin dhe sigurinë”, tha Altin Qato.
Por lideri i opozits Lulzim Basha u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve, që të dalin të hënën në protestë për të bllokuar rrugët.
“Një orë bllokim i trafikut kombëtar është një sakrificë e vogël dhe një dhuratë e madhe për Shqipërinë e re. Nesër një orë të gjithë bashkë, të vendosur dhe thellësisht paqësorë, bashkohemi të bllokojmë të keqen, e me këtë paralajmërim t’i hapim rrugë të mirës”, deklaroi Basha.
