Shkup, mbërrin marshi qytetar për Halepin

23.04.2017 18:11

Një grup prej rreth 20 aktivistëve të vendeve të ndryshme të Evropës të cilët....

Një grup prej rreth 20 aktivistëve të vendeve të ndryshme të Evropës të cilët para 117 ditëve nisën “Marshin qytetar për Halepin” nga Berlini drejt Halepit dhe të cilët deri më tani kanë kaluar më shumë se 1.800 kilomera nëpër Evropë, mbërritën në qendrën e qytetit të Shkupit, ku u pritën nga disa aktivistë të të drejtave të njeriut dhe qytetarë për të parë pjesëmarrësit në këtë marshim.

Pjesëmarrësit e “Marshit qytetar për Halepin” arritën në Maqedoni, në kufirin verior të vendit, në afërsi të qytetit të Kumanovës.

Ata u pritën nga ana e organizatave joqeveritare humanitare të cilët u ndanë paketa me ushqim sikurse refugjatëve që kaluan nëpër territorin e vendit.Ata mbajtën edhe një tubim në qendrën e qytetit të Shkupit dhe shëtitje nëpër qytet, ndërsa në Çarshinë e Vjetër të Shkupit prezantuan “Marshin qytetar për Halepin”. 

Marshi nga Maqedonia do të largohet më 30 prill për të vazhduar më tej drejt Greqisë. Gjatë qëndrimit në Maqedoni, pjesëmarrësit do të organizojnë aktivitete të ndryshme që kanë për qëllim ndërgjegjësimin e opinionit mbi gjendjen e popullit sirian.

Ky marsh qytetar filloi më 26 dhjetor të vitit të kaluar nga Berlini dhe deri më tani ka kaluar përmes Gjermanisë, Çekisë, Austrisë, Sllovenisë, Kroacisë, Bosnjë e Hercegovinës dhe Serbisë. Marshi në Siri pritet të mbërrijë nga fundi i verës 2017.