Koreja Veriore, arrestohet një shtetas amerikan në aeroport

23.04.2017 20:54

Në aeroportin e Phenianit është arrestuar një shtetas amerikan....

Në aeroportin e Phenianit  është arrestuar një shtetas amerikan, derisa ishte duke u larguar nga Korea Veriore.

Agjencia e lajmeve, Yonhap, e Koresë Jugore, duke cituar burime të paemëruara, ka raportua se personi në të 50-tat, i identifikuar vetëm me mbiemrin Kim, kishte kryer punë humanitare dhe ishte profesor i dikurshëm në Universitetin e Shkencës dhe Teknologjisë Yanbian në Kinë.

Ambasada e Suedisë në Phenian tha se është e vetëdijshme për arrestimin e shtetasit amerikano-korean, por nuk mund të bëjë komente të mëtejshme. Shtetet e Bashkuara dhe Koreja Veriore nuk kanë raporte diplomatike, kështu që Ambasada e Suedisë angazhohet në punët konsullore për shtetasit amerikanë.

Arrestimi i raportuar u bë në periudhën e rritjes së tensioneve ndërmjet Uashingtonit e Phenianit, lidhur me programet atomike dhe raketore të Koresë Veriore. Aktualisht, së paku edhe dy amerikanë të tjerë janë të burgosur në Korenë komuniste.