Botë

Triumfi i Macron lehtëson edhe Europën

24.04.2017 11:02

Mund të kishte ndodhur edhe më keq. Shumë morën frymë lirisht nga triumfi i Emmanuel Macron në raundin e parë të presidencialeve franceze...

Mund të kishte ndodhur edhe më keq. Shumë morën frymë lirisht nga triumfi i Emmanuel Macron në raundin e parë të presidencialeve franceze, megjithatë, edhe mbërritja e Marine Le Penit në balotazh nuk ishte pak.
 
Populistja e djathtë arriti të dielën suksesin e saj më të madh politik. Që kur mori frerët e forcës politike të themeluar nga i ati, Le Pen e ka udhëhequr “Frontin Nacional” drejt triumfit, fillimisht në zgjedhjet lokale, më pas në ato europiane, e tani në zgjedhjet presidenciale.
 
Mbështetësit e saj janë në qiellin e shtatë.
 
“Është festë për ne, sepse fituam në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale. Kjo ishte shumë e rëndësishme. Presim rilindjen e Francës dhe Le Peni është kandidatja e vetme, që mund të na sjellë ndryshimin”, tha Nicolas, përkrahës i Marine Le Pen.
 
Kundërshtarët e refuzojnë perspektivën e Le Penit në Pallatin e Elizesë.
 
“Vota ime për Macronin? Absolutisht, sepse idetë e tij nuk janë shumë ndryshe nga të miat. Nuk dua që Marine Le Pen të bëhet presidente e Republikës”, tha Alexis Maldgian.
 
I mposhtur, François Fillon deklaroi se pas disa ditësh, vota e tij do të shkojë për kandidatin republikan. “Nuk e kam zakon abstenimin, - u shpreh ai, - sidomos kur pushtetit i afrohet një parti ekstremiste”.
 
Ndjenja lehtësimi për fitoren e Macronit shprehin dhe belgët e gjermanët.
 
“Kjo ishte një katastrofë për partitë tradicionale, por është gjë shumë e mirë që fitoi Macron. Kam bindjen se do t’ia dalë edhe në raundin e dytë”, tha Stephan Schroeder.
 
Pasi u mësua rezultati i raundit të parë të presidencialeve franceze, Euro pësoi rritjen e saj më të madhe në 5 muaj, duke fituar terren ndaj Dollarit dhe Jenit japonez. Pozitivisht kanë reaguar edhe bursat aziatike./Top Channel