Botë

Basha: Nuk heqim dorë nga qeveria teknike; Rama: Pres opozitën në tryezë

24.04.2017 13:44

Partia Demokratike në Shqipëri, bllokoi sot akset nacionale si dhe disa rrugë kryesore në Tiranë....

Qendra e protestës së sotme ishte sheshi “Shqiponja”, ku bashkë me protestuesit dhe deputetët e opozitës, ishte edhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
 
“Jemi bashkuar për zgjedhje të lira e të ndershme, që do të largojë kriminelët nga institucionet, që do të luftojë drogën e do të krijojë kushtet për zgjedhjet e lira e të ndershme dhe zbatimin menjëherë të vetting-ut dhe reformës në drejtësi. Zoti i bekoftë shqiptarët për këtë sakrificë dhe qëndresë Protesta jonë tregon vendosmërinë për të mos ia dorëzuar Shqipërinë krimit dhe drogës, lirinë tonë, tiranisë dhe korrupsionit, por për t’u bashkuar siç jemi bashkuar, qindra mijëra miliona shqiptarë nga jugu në veri, për zgjedhje të lira dhe të ndershme, me një qeveri teknike”, tha Basha.
 
Kryeministri Edi Rama tha se e pret opozitën në tryezën e bisedimeve dhe se është koha për të zhbllokuar rrugën kundër gjykatave të korruptuara dhe jo për të bllokuar rrugët e vendit.
 
“Është koha për të zhbllokuar rrugën e negociatave me Bashkimin Europian që na e ka thënë shumë qartë. Ju presim në tryezën e negociatave, por duhet të na vini me rezultate për shembjen e murit të gjykatave të korruptuara. Është koha për ta zhbllokuar këtë rrugë, jo për të bllokuar njerëzit që duan të lëvizin lirisht në rrugët e vendit. Nuk është koha për të bllokuar njerëzit që kanë punë, fëmijët, studentët, gjyshërit, kompanitë, mallrat... Është koha për të hapur përfundimisht rrugën e të bërit një shtet modern, demokratik dhe europian, ku secili në rrugën e vet duhet të jetë i garantuar në konkurrencën dhe i vlerësuar sipas meritës”, tha Rama.