Ekonomi

Kriza politike, Bertoni: Rrezikon fondet IPA për Maqedoninë; IPA fondet, projektet për punësim, 1.5 mln euro për trajnimin e të rinjve

24.04.2017 14:04

Nëse kriza politike vazhdon më tej, Maqedonia rrezikon të humbasë fondet e Bashkimit Europian...

Gjithsesi nga misioni I BE-së në vend, shpresojnë që të mos vijë deri në një situatë të tillë dhe fondet e parapara për Maqedoninë, të shfrytëzohen në tërësi.
 
“Për shkak të krizës politike, të cilës nuk i shihet fundi, Maqedonia mund të kthehet pas në rrugën euroitegruese të vendit dhe mund të ballafaqohet  me shkurtim të fondeve financiare të BE-së. Por ne shpresojmë shumë se kjo nuk do të ndodh dhe se do të mund t’i shfrytëzojmë të gjitha fondet e BE-së të parapara për vendin për këtë vit”, shprehet Nicola Bertoni, misioni i BE-së në RM.
 
Aktualisht fondet e BE-së vazhdojnë të financojnë projekte të caktuara në Maqedoni.
 
Një prej këtyre projekteve është mbështetja e drejtpërdrejtë nga IPA fondet për punësimin e të rinjve, që sivjet kap vlerën prej 1 milion e 454 mijë eurosh.
 
Projekti realizohet në bashkëpunim me Agjencinë për punësim, dhe ka si qëllim trajnimin e të rinjve që në  të ardhmen të mund të jenë më konkurentë dhe më aftë në tregun e punës.
 
Trajnimet do të kenë mundësi ti ndjekin të rinjtë  deri në moshën 29 vjeçare.
 
“Në kuadër të këtij projekti  është paraparë  të trajnohen 1.400 të rinj, që të  përfitojnë aftësi të  ndryshme për punësim . Gjithashtu rreth 950 persona të tjerë do të trajnohen për sipërmarësi të cilët do të trajnohen si të shfrytëzojnë fondet e agjencisë në këtë drejtim”, shprehet drejtori i agjencisë për punësim Vlatko Popovski.
 
Trajnimet  do të zhvillohen në periudhë prej 4 muajve ndërsa qëllimi kryesor është perspektiva  më e mirë e punësimit e të rinjëve të papunë. 
 
REXHEP QAMILI