Botë
Mbytet skafi me refugjatë, 16 të vdekur
24.04.2017 15:28
Një tragjedi tjetër, me viktima refugjatë është shënuar mesditën e të hënës në brigjet e Greqisë...

Një varkë që po sillte refugjatë, është mbytur në afërsi të vendit të quajtur Mithimna në ishullin e Lesvos. Mes viktimave janë edhe 4 femra dhe nje i mitur.
Një grua shtatzanë ka shpëtuar dhe është dërguar në spital për marrjen e ndihmës mjekësore.
Mediat njoftuan se në brigjet e ishullit u gjet edhe një i mbijetuar tjetër. Autoritetet thonë se ende nuk kanë mundur të mësojnë se sa ka qenë numri i saktë i refugjatëve që ndodheshin në bordin e varkës.
Gjithashtu, ende nuk është bërë i ditur nacionaliteti i tyre. Autoritetet greke u njoftuan rreth orës 11,00 nga homologët e tyre turq se refugjatët u kishin telefonuar për t’iu thënë se varka e tyre po mbytej.
Më vendngjarje shkuan ekipe shpëtimi dhe skafe të agjencisë Frotenx dhe policisë bregdetare greke, që po vazhdojnë kërkimet.
