Maqedoni
Dëmet nga moti i keq në Tetovë, bujqit kërkojnë kompensim të tërësishëm; Kompensimet e dëmeve, ministria e bujqësisë: komisionet janë gati
24.04.2017 16:28
Rënia e temperaturave javën që lamë pas, ka shkaktuar dëme të mëdah në gjithë vendin...

Rrushi, mjedrat, mollët, patatet dhe fidanët e rinj të perimeve, kanë pësuar më së shumti. Bujqit kërkojnë kompensim të tërësishëm të dëmeve.
Thonë se të gjithë paratë që kanë investuar janë të humbura.
“Dëmi është 100%. 1eur 1 kg farë e kemi blerë, ne kemi kapitulluar nuk e dimë ku t’ja fillojmë. Nuk dimë ku të ankohemi. Të vijë dikush dhe të pyes se cfarë ka ndodhur, jo jo askush nuk interesohet. Në Maqedoninë Lindore, komisioni ka dalë të vlerësojë sa do ketë dëmshpërblime për atje, ndersa për tek ne nuk ka asnjë pyetje a jemi të vdekur apo të gjallë…
Duhet Ministria e Bujqësisë të na kompezojë dicka. Dëmi është 100 %, unë kam 3 hektarë patate, të gjitha janë të prishura gjithashtu edhe frytet tjera. Të mbulohen shpenzimet të na japin dëmshperblim të vijme në një situatë ku të kemi vullnet të punojmë”, shprehen bujqit nga Tetova.
Agronomët thonë se nëse ndërhyet në kohë, dëmet mund të riparohen, por ankohen se kompetentët nga minisrtia e bujqësisë dhe komuna, nuk kanë dalë ende në terren për inspektim.
“Dëmet prej ngricave janë prej 70-80 %, tek krejt frytat ,pemët, perimet dëmet jan mbi 80 %. Jam përgjegjes I vishnjeve te Molika, atje I kemi 95% vishnjeve te dëmtuara mbi 250 ton vishnje janë të dëmtuara. Ajo që është e ngrirë nuk mund të kthehet për arsye se qelizat janë të vdekura. Ministria e Bujqësis ka njerëz në Komunën e Tetovës që interesohen për të mirat e bujqëve, por ata në teren nuk dalin”, shprehet agronomi Agim Qamili.
Qeveria ka vendosur formimin e komisioneve dhe pas vëzhgimit në terren, duhet të formohet edhe metodologjia sipas së cilës do të paguhen dëmshpërmblimet. Por askush nuk e di sa janë dëmet për momentin
“Nuk kemi informacione sa janë dëmet për momentin, për atë arsye I formuam komisionet që të dalin në teren dhe të konfirmojnë saktë në cilan rajone dhe cilët pjesë janë të dëmtuara të mbjellat. Në disa rajone në vende malore, të mbjellat janë prekur më pak nga ngrica ndërsa ne vende me te ulta ne disa rajone kemi dëmtime deri në 100 %”, shprehet zv/ministri i bujqësisë Vanco Kostadinovski.
Ministria e bujqësisë pret përpilimin e raporteve nga komisionet dhe pikërisht këto raporte thonë se do të jenë primare gjatë metodologjisë së pagesës së dëmshpërblimeve.
GAZMEND KURTISHI
