Botë
Sulmi kimik, ShBA-të sanksione 271 zyrtarëve sirianë
25.04.2017 12:45
Qeveria amerikane ka vendosur “sanksione gjithëpërfshirëse” për zyrtarët e qeverisë siriane...

Qeveria amerikane ka vendosur “sanksione gjithëpërfshirëse” për zyrtarët e qeverisë siriane në përgjigje për sulmin me gaz sarin ndaj civilëve, të kryer nga forcat e presidentit, Bashar al-Assad, më herët gjatë prillit.
Departamenti amerikan i Thesarit ka urdhëruar ngrirjen e pasurisë në ShBA të 271 punonjësve të Qendrës Studimore Shkencore të Sirisë.
Sanksionet gjithashtu do të bëjnë të paligjshëm çdo person apo biznes amerikan që punon me këta 271 individë, që cilësohen si përgjegjës për prodhimin e armëve kimike për të cilat Uashingtoni mendon se janë përdorur në sulmin e 4 prillit.
“Këto sanksione gjithpërfshirëse kanë për cak Qendrën Shkencore që ka mbështetur diktatorin, Bashar al-Assad, në sulmin e tmerrshëm kimik ndaj civilëve të pafajshëm. Sanksionet janë një mesazh i forte, se Uashingtoni do të bëjë përgjegjës të gjithë regjimin e Assadit”,- deklaroi sekretari në Departamentin e Thesarit-ShBA, Steven Mnunin.
Sulmi i dyshuar kimik la 87 të vdekur, mes tyre edhe fëmijë, në provincën Idlib. Më 7 prill, ShBA sulmoi me raketa një bazë ajrore siriane në përgjigje ndaj sulmit të dyshuar kimik.
GAZMEND KURTISHI
