Maqedoni

Rasti “Lagja e trimave”, i akuzuari Osmani flet për kultivimin e patateve

25.04.2017 15:35

Çfarë lloji të patateve keni mbjellë? Në cilin muaj mbillen patatet? Për sa kohë piqen patatet dhe kur i mblidhni? Dhe sa ton patate keni prodhuar në vitin 2015?

Me këto pyetje iu drejtuan të akuzuarit në rastin “Lagja e Trimave” Fazli Osmanit, prokurorja Villma Rukovska dhe gjykatësja Verka Petrovska. Edhe pse këto pyetje nuk lidhen assesi me rastin në fjalë, u parashtruan sepse në dëshminë mbrojtëse Osmani nuk tha asnjë fjalë për rastin, por vetëm për kultivimin e patateve. 
 
“Bisedat për të cilat dyshohet dhe akuzohet janë se gjoja në ato dy-tre biseda ekziston mundësi se është i përfshirë në rastin, por pas mbrojtjes së sotme unë nuk e di se mundet tani prokuroria dhe gjykata të konstatojnë se është ndërmarrë ndonjë veprim nga ai, kur në të vërtetë bëhet fjalë për person i cili është marrë dhe merret vetëm me kultura bujqësore”,- u shpreh avokati, Asmir Alispahiç.
 
I akuzuari tjetër, Ragmi Latifi, gjatë deklaratës mbrojtëse hodhi poshtë akuzën për ndihmë të Grupit të Kumanovës, duke theksuar se grupi 5 muaj më vonë akuzohet vetëm pse ka qenë pjesë e luftës së vitit 2001.
 
“Ne jemi arrestuar 5 muaj më pas dhe na lidhin me grupin e parë. Gjithçka me qëllim që “filmi” të bëhet më interesant. Unë nuk di çka do të thotë terrorizëm. Këtu në Maqedoni nuk ka terrorizëm. Shteti e ka imagjinuar këtë për të na akuzuar neve”,- deklaroi Latifi para trupit gjykues. 
 
“Prokuroria gjithë akuzën ndaj këtyre personave e bazon vetëm në biseda telefonike, biseda që janë shumë të cekëta dhe nuk përmbajnë elemente të veprave penale”,- tha avokatja, Artene Iseini.
 
Për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore, Musadik Pajazit, gjithashtu i akuzuar si pjesë e logjistikës, nuk dha deklaratë mbrojtëse para trupit gjykues. 
 
SANIJE DURAKU