Maqedoni

Standardet profesionale të gazetarisë, ekspertët për rregullim dhe vetërregullim

25.04.2017 16:37

Rregullimi dhe vetërregullimi i mediave bashkërisht është mënyra e vetme e cila mund të përmirësojë gjendjen e mediave...

Rregullimi dhe vetërregullimi i mediave bashkërisht është mënyra e vetme e cila mund të përmirësojë gjendjen e mediave në vend dhe të detyrojë ato në të ardhmen të respektojnë standardet profesionale të gazetarisë.
 
Ky është konstatimi i njohësve të punës së mediave të cilat vlerësojnë se vetërregullimi i brendshëm i mediave do të ishte më frytdhënës nëse shkelësit e këtij profesioni njëkohësisht gjobiten financiarisht.
 
“Disa prej kolegëve në këtë debat përmendën se në të ardhmen Agjencia për Punë Audio dhe Audiovizuele do të duhet medoemos administrativisht të shqiptojë dënime financiare ndaj shkelësve të etikës së rregullave profesionale dhe gjuhës së urrejtjes. Këto së bashku me parimin e përforcimit të vetërregullimit të brendshëm do të mund të rezultonin me rezultate më të mira në këtë drejtim”,- tha Dejan Gorgjievski nga Qendra për Zhvillim të Mediave.
 
“Një ndër mënyrat më efikase për të rikthyer profesionalizmin në mediat  është pa dyshim respektimi i parimit të vetërregullimit të mediave dhe ndoshta dënimet financiare ndaj atyre që vazhdimisht shkelin këto rregulla me vetëdije të plotë, pasi që shumë shtete evropiane praktikojnë këtë mënyrë të funksionimit të mediave”,- theksoi gazetarja në g. d. “Utrinski Vesnik”, Gordana Duvnjak.
 
“Vrasës” i rregullave gazetareske ndër vite për analistët pa dyshim është nxitja dhe përhapja e gjuhës së urrejtjes. 
 
Sipas profesorit universitar, Sefer Tahirit, liria e mediave pa përgjegjësi është keqpërdorim flagrant i profesionit i cili për të parandaluar këtë është e nevojshme edhe kyçja e prokurorit publik. 
 
“Gjuha e urrejtjes sanksionohet edhe me Kodin Penal dhe dënimi i tyre që të gjithë do të shfrytëzojnë mjetet e komunikimit masiv për të shprehur në mënyrë eksplicite dhe për të promovuar gjuhën e urrejtjes është prej 1 deri më 5 vite, por nga ana tjetër ne kemi një prokuror publik i cili është në gjumë të thellë dimëror dhe nuk bën asnjë lloj përpjekje për të ngritur këtë çështje dhe për të zbatuar Kodin Penal, normën juridike e cila sanksionon gjuhën e urrejtjes”,- tha profesori universitar, Sefer Tahiri.
 
Në debatin e Qendrës për Zhvillimin e Mediave gjithashtu u theksua nevoja imediate e themelimit të një regjistri të veçantë të mediave on-line, i cili do të evidentojë dhe mbikëqyr ueb portalet, thanë pjesëmarrësit në debat.
 
REXHEP QAMILI