Maqedoni

Gruevski: menjëherë të shkohet në zgjedhje parlamentare; LSDM: zgjedhje të reja parlamentare nuk do të ketë

25.04.2017 16:51

Lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, ka kërkuar që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme...

Lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, ka kërkuar që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme si zgjidhje e vetme për dalje nga kriza politike.
 
Ai insiston se LSDM ka bërë mashtrim paszgjedhor të qytetarëve me pranimin e Platformës së Tiranës.
 
“VMRO-DPMNE dhe partnerët e kërkonit këtë, e kemi kërkuar që nga fundi i janarit. Nëse atëherë LSDM dhe partnerët e koalicionit do të pranonin, tani do të kishim zgjedhje dhe do të përfundonte kriza. Kur një parti do të dalë në zgjedhje dhe thotë një gjë, e më pas bën diçka tjetër dhe me këtë bën një mashtrim të madh zgjedhor, ajo parti duhet ta dijë se do të përballet me revoltën e qytetarëve dhe kjo po i ndodh Maqedonisë dhe LSDM-së, prandaj kriza është prolonguar. Për këto arsye edhe njëherë konfirmoj se rrugëdalje më e mirë për dalje nga kjo situatë është të shkohet menjëherë në zgjedhje të shpejta parlamentare, së bashku me zgjedhjet lokale të cilat për shkak të veprimeve të LSDM-së u anuluan”,- deklaroi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski.
 
Por, LSDM përmes një kumtese thekson se zgjedhje të reja parlamentare nuk do të ketë, ndërsa paralajmëroi se do të zgjidhet kryetari i ri i Kuvendit, i cili do t’i hapë rrugë zgjedhjes së qeverisë së re.                            
 
“Ky është vullneti i 700.000 qytetarëve i shndërruar në shumicën e re parlamentare të përbërë prej 67 deputetëve. Zgjedhjet e parakohshme i nevojiten vetëm liderit të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevskit, që ta vazhdojë krizën politike përmes së cilës kërkon shpëtim nga përgjegjësia për krimin e kryer”,- thuhet nga LSDM.  
 
LSDM njëherit thekson se ka program për qeveri reformuese dhe në të nuk ka ndryshim të himnit, flamurit, stemës, banknotave, emrit, as dëme ndaj gjuhës maqedonase si gjuhë zyrtare në Republikën e Maqedonisë, siç pretendon VMRO-DPMNE dhe Nikolla Gruevski. 
 
GYLTENE SINANI