Bertolini: BE mbështetje Maqedonisë për Ligjin e parandalimit të dhunës ndaj grave
Dhuna në familje vazhdon të mbetet një fenomen shqetësues për shoqërinë tonë....

Dhuna në familje vazhdon të mbetet një fenomen shqetësues për shoqërinë tonë. Dhuna në bazë gjinore jo vetëm që e shkatërron jetët e vajzave e grave, familjeve, por në masë të madhe mbetet e padenoncuar, u tha në punëtorinë me temë “Stop dhunës ndaj grave në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe në Turqi: Implementimi i normave, ndryshimi i opinioneve”.
BE-ja është e gatshme t’i ndihmojë Qeverisë së Maqedonisë në miratimin e Ligjit për parandalim të dhunës ndaj grave, tha drejtuesi i sektorit për bashkëpunim i delegacionit të BE-së, Nikolla Bertolini.
"Ekzistojnë vetëm katër strehimore në vend. Mekanizmi për mbrojtje juridike nga diskriminimi duhet të funksionojë në mënyrë shumë më të mirë. As Avokati i Popullit, as trupat e tjerë nuk mbajnë procesverbale përkatëse për ankesat në bazë të diskriminimit gjinor. Njësiti për barazi gjinore pranë Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale edhe më tej nuk ka mjaft mjete dhe ka kapacitete të kufizuara që ta zbatojnë Ligjin e ri për barazi gjinore dhe jodiskriminim gjinor. Ekziston mungesë e përgjithshme e vullnetit politik për trajtim të këtyre stereotipave”,- theksoi drejtuesi i sektorit për bashkëpunim i BE-së, Nikola Bertolini.
Sipas koordinatores së përhershme të KBsë, Luiza Viton, duhet t'i kushtohet vëmendje shkaqeve të cilat sjellin deri në dhunë ndaj grave, me qëllim që të tejkalohet korniza e dhunës familjare dhe të gjitha format e tjera të diskriminimit mbi gratë.
“Klima globale duhet të ndryshohet, duke filluar me ndryshime dhe respekt. Të drejtat femërore janë edhe të drejta njerëzore. OJQ-të kanë vendim kyç së bashku me Qeverinë, Parlamentin dhe sektorin civil. OJQ-të janë pionerë në ngritjen e barazisë gjinore dhe po luftojnë jo vetëm në aspektin financiar, por edhe në çdo aspekt tjetër”,- theksoi koordinatorja e përhershme e KB-së, Luiza Viton.
Me këtë rast u theksua se Bashkimi Europian i pranon referencat për strategjinë e re rreth mosdiskriminimit sipas Konventës së Stambollit.
Nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale thonë se aktivitete të shumta në drejtim të preventimit të diskriminimit gjinor janë të definuara në planin strategjik nacional për barazi gjinore 2013-2020 që e ka miratuar Parlamenti i RM-së. (Belinda Koka-Ademi, TVM2)
